×
Sunday, March 8, 2026

Basha: Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza 

March 14, 2022


 Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot lidhur me masat e marra nga qeveria nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit të vogël.

Në një reagim, Basha deklaron se “Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhytën në mjerim”.

Sipas tij, “qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra-mijëra familje”.

Basha shton se “zgjidhje ka. Ia kemi propozuar kohë më parë, ku i kërkuam të marrë masa, sepse shqiptarët janë aq të varfër, sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë”.

“Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind. Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen”, nënvizon kreu i PD-së.

Sipas tij, me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.




Comments are closed.