×
Wednesday, January 19, 2022

Basha: Ka vetëm një Kuvend të PD-së, më 18 dhjetor

December 7, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot në një intervistë televizive se, nuk ka dy kuvende të PD-së, por se Kuvendi i Partisë Demokratike është më datë 18 dhjetor.

Basha tha se Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor është një foltore e thirrur në Tiranë, ku janë ftuar ata që kanë marrë pjesë në foltoret e rretheve.

“Pjesëmarrja në takime të ndryshme, nuk është thelbi i një Kuvendi. Kuvendi i Partisë Demokratike thirret sipas rregullave, përfaqësimi përcaktohet  nga rregullat, me qëllim që Kuvendi të jetë ai që duan demokratët atje. Të jetë përfaqësuesi i vullnetit të tyre. Ndërkohë në një mbledhje të tillë mund të thirrej njerëz dhe mund të vijnë njerëz të ndryshëm. Mund të vijnë demokratë për të cilën më vjen keq që gjatë kësaj periudhe është manipuluar me ndjeshmëritë e tyre, me hidhërimin dhe me dëshpërimin e tyre për masakrën zgjedhore të 25 prillit, dëshpërimi që ka kapluar gjithë Shqipërinë pas 25 prillit, stanjacionit politikë, ekonomikë, krizës sociale, por edhe psikologjike që vërejmë kudo edhe tek mbështetësit e Partisë Socialiste. Sepse 25 prilli ka krijuar një anomali, ka thelluar të keqen që në fakt do të largohej me votë më 25 prill, nëse nuk do të ndodhte masakra zgjedhore. Dhe pa diskutim që ekziston kjo ndjeshmëri. Por përveç kësaj ndjeshmërie, për fat të keq ka një keqpërdorim nga zoti Berisha dhe nga një grup funksionarësh rreth tij, të cilët e kanë këtë betejë për interesin e tyre personal. Zoti Berisha e ka këtë për interesin e tij personal. Dhe pa diskutim nga kjo pikëpamje, si kryetar i Partisë Demokratike, jam i vendosur që Kuvendin e Partisë Demokratike në 18 dhjetor ta shndërrojmë në një forum vendimmarrës përfaqësues të demokratëve. Dhe nga ana tjetër t’i japim zë dhe mundësinë për një dialog dhe debat civil çdokujt që ka një mendim ndryshe apo që kërkon të kontribuoj në betejën tonë, me kundërshtarin tonë të vetëm, që është regjimi i Edi Ramës”, u shpreh ai.

Basha sqaroi edhe pse u la data 18 dhjetor për thirrjen e Kuvendit.

“Kuvendi Kombëtar njoftohet gjithmonë 30 ditë përpara organizimit të tij. Dhe kryesia e Partisë Demokratike, në përputhje me statutin e Partisë Demokratike, me këto përcaktime, ka vepruar në këtë mënyrë. Më 15 nëntor është mbledhur Kryesia, dhe siç është raportuar tashmë, me një shumicë dërrmuese ka vendosur për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18 dhjetor, ora 11, në Pallatin e Kongreseve”, u shpreh Basha.

“Ne patëm një Kuvend në datën 17 korrik. Një Kuvend do ta quaja të stabilizimit pas masakrës zgjedhore dhe të përcaktimit të një rruge drejt të cilës do të niste organizimi i partisë, shtrirja e aksionit opozitar, sigurisht të drejtuar nga Partia Demokratike në të gjithë damarët e shoqërisë shqiptare dhe ngritja e një vale opozitare në përballje me regjimin e Edi Ramës. Mund ta keni të qartë që në shtator, ky plan pune nisi të zbatohet me depozitimet që grupi parlamentar bëri në Kuvendin e Shqipërisë. 3 Komisione Hetimore për inceneratorët, për masakrën zgjedhore, për aferën Bechetti, propozime për ndryshimet Kushtetuese, ku përfshihet Reforma Zgjedhore, përfshihet vetingu i politikanëve, ndarja e politikës nga krimi. Përfshihet reforma territoriale. Gjëra që kanë të bëjnë me ditën e shqiptarit, me bukën e shqiptarit dhe me familjes shqiptare: Ulja e TVSH-së nga 20 në 6% për shportën ushqimore. Fatkeqësisht këto çështje që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, që nga demokracia, që nga hetimi i krimeve zgjedhore, dënimi siç duhet i politikanëve që janë zgjedhur me votat e krimit dhe i atyre që i kanë ndihmuar, dhe ju e dini që unë dje kam njoftuar iniciativën e Partisë Demokratike për ndryshim në Kodin Penal, sipas modelit italian. Sepse dënimi me një vit është qesharak dhe vet modeli italian parashikon që një politikan që zgjidhet me votat e krimit të organizuar, me votat e një organizate kriminale, dënohet me 22 vite burg dhe i hiqet përjetë e drejta për t’u zgjedhur. Dhe e njëjta gjë ndodhë edhe me organizatat kriminale që ndihmojnë në futjen e njerëzve të tyre në politikë. Po flas për modelin italian. Pra, ne kemi shpalosur me një betejë që ka të bëjë së pari me ngjarjet e këtij viti, masakrën zgjedhore të 25 prillit, që ka ndaluar, është në një arrest kardiak Shqipëria politikisht, nga pikëpamja ekonomike. Ka një ankth pezull në Shqipëri që ndihet kudo. Dhe nuk ka të bëjë me COVID-in apo me gjendjen e rënduar ekonomike edhe të para zgjedhjeve, ka të bëjë pikërisht me faktin se një instrument i vetëm, për ndryshimin e gjendjes që janë zgjedhjet, u shkatërruan në 25 prill. Tani, gjithë kësaj beteje i mbivendoset interesi personal dhe halli personal i Sali Berishës, pas shpalljes së tij non grata. Kështu që nga kjo pikëpamje mund te them se Partia Demokratike, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, shumica dërrmuese e demokratëve që me të vërtet dhe me të drejtë duan drejtësi për masakrën e 25 prillit, duan t’i prinë rrugës së ndryshimit për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët, janë më e pakta të mërzitur me faktin që kësaj beteje i mbivendoset një aktivitet politikë i zotit Berisha që përpiqet t’i instrumentalizojë, të përdorë dhe të keqpërdorë ndjeshmëritë e demokratëve për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike dhe Shqipëria pas masakrës zgjedhore të 25 prillit”, u shpreh Basha.

I pyetur sesi po përdoren ata demokratë që i janë bashkuar Berishës dhe çfarë halli personal kanë, Basha tha se, “duhet të ndajmë dy gjëra: revoltën e ligjshme dhe legjitime të ditës, i bashkohet jo vetëm çdo demokrat, përfshirë dhe mua si kryetar i Partisë Demokratike, por shumica dërrmuese e shqiptarëve. Mund t’iua them me gojën plotë edhe socialistë, të cilët kanë pritur ndryshimin në 25 prill. Sepse e kanë parë që partia që ata mbështesin, ndoshta në të cilën dhe aderojnë, nuk meriton të qeverisë më. Është e korruptuar deri në fyt, është e zhytur në afera, është e lidhur me krimin, nuk përfaqëson socialistët e ndershëm. Pra, rikthehen tek një gjendje pezull në të cilën ndodhet Shqipëria për shkak të arrestimit të ndryshimit më 25 prill. Dhe kjo është një gjendje frustrimi që vjen, që e ka çdokush, nga i papuni tek sipërmarrësi i madh. Nga studenti apo gjimnazisti, tek i moshuari dhe pensionisti. Gjendje e cila thellohet ditë për ditë. Ditë për ditë plasin skandale të reja, ka afera të tjera. Shikoni, emërohet një person si Ilir Beqja, një ikonë e korrupsionit, si kreu i Agjencisë që do të administrojë ndihmat e huaja. Shikoni buxhetin që sapo kaluan. Shikoni që për koncesionet kanë ndarë më shumë para sesa për pensionistët apo për ndihmën ekonomike. Pra, ka një pakënaqësi që vlon nën petkun e një qetësie të rreme. Ky është një fakt dhe shkaku i kësaj pakënaqësie është pikërisht se më 25 prill, në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve, me gjithë ato mekanizma që i kemi përmendur që nga prishja e marrëveshjes së 5 qershorit e deri tek manipulimet, shitblerja e votës, abuzimi me shtetin dhe resurset shtetërore, gjithçka që tashmë është ekspozuar edhe nga OHDIR-i, Edi Rama dhe një grusht njerëzish ia kanë dalë të mbajnë me zor pushtetin. Ky frustrim ndodhet kudo, cila është zgjidhje? Ne kemi përcaktuar rrugën e zgjidhjes dhe kjo kalon përmes disa fakteve. Në radhë të parë dënimit të atyre që i kanë kryer këto krime elektorale, Vetingut të politikanëve, largimit nga politika të personave të lidhur me krimin, dënimit të korrupsionit. Dhe siç e keni parë në ditët e fundit, edhe një iniciativë të një grupi deputetësh, jo vetëm por kryesisht nga shtresat e të përndjekurve në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, për dekomunistizimin e shoqërisë dhe në veçanti të politikës shqiptare. Dhe pa diskutim këto janë hapat e parë që çojnë drejt një zgjidhje, zgjidhja duhet të jetë një orë e më parë tek sovrani dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Asgjë përpos zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk mund ta zhbllokojë këtë gjendje që mbahet pezull për shkak të masakrës zgjedhore të 25 prillit”.

I pyetur se çfarë mesazhi i thotë atyre anëtarëve apo delegatëve të Partisë Demokratike që i bashkohen 11 dhjetorit, Basha u shpreh se, “së pari, delegatët e Partisë Demokratike të Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit mund t’ju informoj kanë konfirmuar masivisht  pjesëmarrjen në Kuvendin e 18 dhjetorit. Së dyti për çdo demokrat dhe  demokrate për të gjithë shqiptarët e dëshpëruar nga kjo situatë, mesazhi im është i qartë të mos lejojnë të keqpërdoren për interesa vetjake të kujtdo qofshin ato, por të bëhemi të gjithë bashkë në një front të bashkuar kundër të keqes së madhe që është autori i masakrës zgjedhore, që është shkaktari i kësaj gjendje ekonomike, sociale, psikologjike nëse dëshironi që është Edi Rama dhe regjimi i tij i cili është instaluar pa vullnetin e shqiptarëve, pa miratimin e shqiptarëve dhe po sundon, jo qeveria, jo për hallet e shqiptarëve, por për interesat e tyre dhe interesat e një grushti oligarkësh dhe anëtarësh të krimit të organizuar që tani nuk kanë më as frikë. E kanë nxjerrë hapur fytyrën, janë ata që diktojnë buxhetin, janë ata që diktojnë si do të rriten taksat, anë ata që vendosin se ku do të shkojnë paratë që do të merren nga taksat e rritura. Pra jemi në kushtet e në regjimi që nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me njerëzit dhe arsyeja është e thjeshtë se pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Pra, mesazhi im është të jemi bashkë në një betejë që e udhëheq Partia Demokratike që kam barrën dhe privilegjin t’i prij pas zgjedhjes time në një shumicë absolute me një anëtar një votë dhe mos të biem pre e axhendave personale, e problemeve personale, interesave personale as Sali Berishës as të askujt tjetër. Sepse në këtë kuadër ajo që  përshkrova më sipër nuk po bën gjë tjetër veçse një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës të cilin nga ana tjetër Edi Rama vazhdon ta ushqejë ditë për ditë. Ku ka dhuratë më të mirë për Edi Ramën dhe regjimin e tij se sa ditë e natë në lajme dhe studio të flitet për këtë çështje dhe jo për korrupsionin, politikat e tij me krimin e organizuar,  për masakrës zgjedhore, për favoret që i bën oligarkëve, për varfërinë që ka shkaktuar, për emigracionin që po zbraz Shqipërinë”.

I pyetur se sa e thellë është përçarja në PD mes mbështetësve të tij dhe Berishës, Basha tha se, “nuk ka një zgjedhje midis Bashës dhe Berishës, sepse kryetari i Partisë Demokratike sapo është zgjedhur me një shumicë dërrmuese. 11 dhjetori, siç ju thashë, është një Foltore e thirrur në Tiranë ku janë thirrur të vijnë edhe ata që kanë qenë në Foltoret e tjera. Do të vijnë, s’do të vijnë është puna e tyre, është vullneti i tyre. Disa pre tyre janë anëtarë  të Partisë Demokratike, disa prej tyre mund të jenë edhe delegatë, disa prej tyre janë simpatizantë, disa prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.  Shumë është thënë dhe është raportuar këto kohë se disa prej tyre janë kundërshtarë të Partisë Demokratike dhe u intereson një përçarje e Partisë Demokratike, por ky është një aktivitet i thirrur nga zoti Berisha dhe nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Partia Demokratike ka një Kuvend me 18 dhjetor dhe kushdo që është i interesuar për një debat të shëndoshë, për një dialog të vërtetë mes demokratëve dhe mbi të gjitha për të vendosur së bashku rrugën për të ardhmen e vendit, rrugën për të ardhmen jo vetëm të Partisë Demokratike, por të gjithë shqiptarëve, Kuvendi i Partisë Demokratike është më 18 dhjetor”.

I pyetur nëse duke parë në retrospektivë, a do ta kishte marrë përsëri vendimin e 9 shtatorit ndaj Berishës, Basha tha se, “absolutisht po! Duhet t’ju kujtoj që ky vendim nuk erdhi papritur. Erdhi pas 3 muajsh përpjekje, diskutimesh, negociatash për të arritur në një zgjidhje që do të harmonizonte nga njëra anë interesin e Partisë Demokratike e cila u vendos në një pozitë të vështirë në raport me aleatin strategjik jo vetën të Shqipërisë, por edhe të Partisë Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U vendos në atë pozitë sepse ne vetë kishim vendosur një standard. Në rastin e Vangjush Dakos, Tom Doshit jo vetëm që kemi kërkuar largimin e tyre, por kemi argumentuar, Partia Demokratike, unë, vetë zoti Berisha, që ata nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve, nuk duhet të kenë të drejtë të garojnë. Këto kanë qenë qëndrimet tona. Ndaj ka qenë një debat, një përpjekje pothuajse 3-mujore e cila pastaj ka rezultuar me një vendim që sigurisht mbi interesat personale të çdokujt. Siç e kam thënë edhe sikur të isha unë i godituri nga vendimi ‘non grata’ i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të prevalojnë interesat e Partisë Demokratike, duhet të prevalojnë sakrificat dhe interesat e demokratëve dhe jo hallet dhe interesat personale të askujt, as të Sali Berishës”.

I pyetur se sa ndryshon Berisha me atë me të cilin ka bashkëpunuar për 15 vite, Basha tha se, “e vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë, ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që zoti Berisha ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dhe më pas dhe të thuash habi është më e pakta për të parë se si transformohet njeriu dhe gjuha e tij pas 9 shtatorit. Po të shikoni përcaktimet, qëndrimet, vlerësimet që ka patur, jo vetëm me mua, personin tim në tërësi dhe se si këto kanë ndryshuar si nata me ditën pas nëntë shtatorit, atëherë ndjej jo vetëm një keqardhje të thellë, sigurisht edhe le të themi atë ndjesinë e është dikush që nuk e paskam njohur tamam, por ndjej dhe një keqardhje në raport me ata bashkëpunëtorë të cilët ndoshta i kam paragjykuar  kur kanë qenë në pozita të ngjashme, apo në disa raste identik, siç ndodhemi tani unë dhe zoti Berisha. Pra në momentin kur ceket interesi personal është momenti kur njihet njeri. Ju e keni parë që unë kam bërë dhe vazhdoj të bëj një përpjekje që unë e kam në themel të formimit tim, edukatës time, por edhe të identitetit tim si qytetar në radhë të parë, pastaj edhe si politikan që mos të përgjigjem me të njëjtën monedhë, ama gjuha, metodat e veprimit, trillimet, gënjeshtrat, zhbërja pothuajse 100 % e të vërtetave apo kthimi i tyre kokëposhtë menjëherë pas nëntë shtatorit nga zoti Berisha, pa diskutim që më ka lënë një shije jashtëzakonisht të keqe”.

I pyetur se çfarë e ka prekur më shumë, nga akuzat, Basha u shpreh se, “akuzat në vetvete janë bërë gjithmonë e më qesharake dhe paradoksi qëndron që një akuzë e bërë një javë është moderuar apo ndryshuar javën tjetër në varësi të interesit apo në varësi të siç është tekur, tekave të zotit Berisha. Ajo që më dhemb më shumë dhe më dhemb edhe sot është se akoma ndonëse me mendje e kuptoj, nuk arrij ta përthith, nuk arrij ta pranoj në qenien time, akoma nuk arrij ta pranoj në qenien time faktin që një njeri i cili ka patur kaq shumë besim nga demokratët në 30 vite, të cilit i është besuar drejtimi i partisë, drejtimi i shtetit, i qeverisë që është investuar kaq shumë për të, nga të gjithë ne, nga unë personalisht, nga familjarët e mi, nga demokratët në lagjen ku jam rritur, nga demokratët anembanë Shqipërisë, mundet që kaq lehtësisht të thotë para vetes time nuk vë fatin e këtyre demokratëve që në fund të fundit për 30 vite me radhë janë çelësi i atyre sukseseve që kemi arritur. Ata janë në të vërtetë heronj të, njerëzit që meritojnë t’iu jepet e gjithë kredia për gjërat e mëdha dhe pozitive që ka arritur Partia Demokratike për shqiptarët, nëse ka gabime, nëse ka të meta dhe ka boll, ajo është përgjegjësi e lidershipit. Si mundet në një moment kur të cenohen interesat  personale, të shkelësh  pa pikë ndjeshmërie  njerëzore mbi sakrificat e demokratëve për interesat e tua personale. Kjo është diçka të cilën me thënë të drejtën nuk arrij ta tejkaloj në planin  emocional ndonëse në planin racional   për fat të keq jo vetëm e kam kaluar, por edhe më është paralajmëruar  disa herë në mënyrë të qartë nga zoti Berisha që këto rrugë do të ndiqte dhe këto rrugë ka ndjekur, por në fund ajo që mbetet është vendosmëria ime si kryetar i Partisë Demokratike, që interesat e demokratëve, interesat e Partisë Demokratike do të prevalojnë dhe për këtë të mos ketë askush as më të voglin hezitim, as më të voglin dyshim”.

I pyetur nëse e priste këtë reagim të Berishës, Basha tha se, “përpjekja ime ka qenë që të vinim në një pozicion të përbashkët, sigurisht duke investuar të gjithë kapitalin tim politik dhe personal në raport edhe me aleatët dhe me thënë të drejtën nuk kam hequr dorë deri në çastin e fundit nga shpresa se do të vinim në një pozicion të përbashkët ku pak a shumë me përgjegjësinë e  një shtetari, me përgjegjësinë e një drejtuesi 30-vjeçar, zoti Berisha pavarësisht prej kontekstit prej të cilit është marrë vendimi dhe mënyrën se si ndihet ai personalisht për vendimin do t’i hapte rrugë Partisë Demokratike. Nuk do të përpiqej ta merrte Partinë Demokratike si një mburojë dhe ta përdorte atë dhe ta shkalafiste atë në përpjekje për t’u mbrojtur ndaj vendimit të qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por e kam thënë dhe më përpara, kështu që nuk besoj se bëj keq ta përsëris prej fillimit qëndrimi i tij ka qenë i qartë, që nuk do të vendoste asgjë mbi interesat e tij personale dhe po ta shikosh racionalisht me mendje sapo ju fola se si ndihem personalisht meqë më pyetët, por racionalisht është diçka e paralajmëruar, sikundër Partia Demokratike, institucionet e Partisë Demokratike dhe pa diskutim kryetari i Partisë Demokratike ka detyrën të bëjë gjithçka në këtë situatë, për t’i mbrojtur interesat e demokratëve, për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike”.

I pyetur se si do të jetë rrugëdalja, nëse mund të ketë një mundësi për të negociuar me palën e “Foltores” për të arritur një kompromis, Basha theksoi se, “PD në këto 30 vite ka kaluar shumë momente të vështira, në veçanti brezi i ri mund të mos i mbajë mend këto momente, unë që jam rritur, le të themi jam formuar në vitet e themelimit dhe rritjes së Partisë Demokratike si forcë politike, pra kam qenë as 17 vjeç kur është themeluar Partia Demokratike dhe sot që jam kryetar i saj mund t’iu them që mbaj mend shumë prej momenteve të vështira në të cilat kjo parti ka kaluar. Dhe një gjë jua them me siguri, Partia Demokratike do ta kalojë këtë situatë të vështirë, të krijuar padrejtësisht dhe të rënduar padrejtësisht, nga qëndrimet do të thoja personale dhe egoiste të zotit Berisha në raport me fatin e demokratëve dhe në raport me përgjegjësitë e Partisë Demokratike përballë shqiptarëve, që është lufta me regjimin e Edi Ramës, është lufta për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është lufta për ndëshkimin e krimeve zgjedhore, është lufta për përditshmërinë e shqiptarëve. Por se sa i përket negociatave, vendimi ‘non grata’ nuk është marrë nga Partia Demokratike, as nga unë, as nuk kam patur mundësi ta ndikoj atë, është i panegociueshëm, është i pakthyeshëm, është aty dhe është diçka që është krejtësisht jashtë pushtetit të Partisë Demokratike. Ajo që ne mund dhe duhet të bëjmë, është të tejkalojmë interesat personale dhe mos t’i shërbejmë Edi Ramës, siç e thashë, si një tub oksigjeni, duke ushqyer ditë për ditë këtë regjim me një telenovelë, nganjëherë me përmasa tragjike, nganjëherë me përmasa pothuajse komike, ndërkohë që gjithë fokusi dhe energjia jonë duhet të jetë në betejën për shqiptarët, me kundërshtarin e shqiptarëve, që është regjimi i Edi Ramës”.

I pyetur se çfarë pritshmërish ka nga vizita e të dërguarit special nga SHBA, Escobar, Basha u shpreh se, “më vjen mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendjen e tyre si çështje themelore luftën kundër korrupsionit. E kanë bërë këtë në një kontekst më të gjerë se Shqipëria, por në veçanti për Shqipërinë ka shumë rëndësi, sepse ky është dhe problemi kryesor i Shqipërisë, korrupsioni, pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, janë burimet kryesore të të keqes së shqiptarëve, të gjendjes ekonomike, të papunësisë, të mungesës së shpresës së popullsisë në tërësi dhe të rinjve dhe të rejave shqiptare në veçanti. Ndaj këto do të jenë patjetër në fokus të bisedës sime me zotin Escobar, siç kanë qenë edhe në fokus të diskutimeve të mia me partnerët amerikanë, që kanë ardhur, ju keni parë delegacionet të Senatit amerikan, të Kongresit amerikan dhe në veçanti nisma tona siç janë reforma zgjedhore, siç është vetingu i politikanëve dhe siç është propozimi i fundit, që do të paraqesim, ai për dënimin, ashpërsimin e dënimeve sipas modelit italian, deri në 22 vjet burg për politikanët e zgjedhur me votat e krimit, po në veçanti po kështu dhe lufta kundër korrupsionit, që po i merr frymën Shqipërisë dhe që po shkatërron mirëqenien e Shqiptarëve dhe shpresat e shqiptarëve”.

I pyetur nëse ka lidhje kjo vizitë dhe me zhvillimin e 2 kuvendeve në Partinë Demokratike, Basha theksoi se, “e para e punës, nuk ka 2, por ka një kuvend dhe ai është më 18 dhjetor, është kuvendi i Partisë Demokratike. Ngjarjet e tjera janë pa diskutim, zhvillime të cilat kanë rrjedhur nga shpallja ‘non grata’ e zotit Berisha dhe për këtë qëndrimet amerikane janë të qarta. Iluzioni se këto janë qëndrime të personalizuara, me të cilin ushqen zoti Berisha disa njerëz apo mbështetës të tij, pra i keqpërdor në këtë mënyrë, ka përgjigje dhe besoj edhe vetë vizita e zotit Escobar është në këtë aspekt një tjetër sinjal i qartë që këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale. Por ne duhet ta tejkalojmë këtë, ne nuk mund të mbetemi peng i një debati të stisur për hallet personale të Sali Berishës. Detyra e Partisë Demokratike, është t’i prijë shqiptarëve në përballje me regjimin. Detyra e Partisë Demokratike është të pastrojë politikën nga krimi, të dënojë autorët e masakrës zgjedhore, të afrojë një orë e më parë ditën kur shqiptarët ti rikthehen kutive të votimit, për të zgjedhur një parlament dhe një qeveri që iu përket atyre dhe iu shërben atyre”.

I pyetur nëse do t’i trembej një skenari të mundshëm të ardhjes në zyrat e PD të mbështetësve të foltores, Basha tha se, “PD dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë. Ajo që dua të them është kjo, ka një palë që investon fuqishëm për të përçarë Partinë Demokratike dhe kjo palë është regjimi, është Edi Rama, me forma dhe mënyra të ndryshme, shumë prej tyre janë denoncuar në mendja nga demokratë të thjeshtë përmes presioneve që u janë bërë pikërisht nga ata zyrtarë të Partisë Socialiste apo faktorë të krimit të organizuar që deri me 25 prill Partia Demokratike dhe demokratët i kam pasur përballë dhe tani papritur i shohim tek ndihmojnë aktivitetet e zotit Berisha. Por një gjë është e sigurt, as vullneti i demokratëve as arsyeja se pse kjo parti është themeluar, ekziston, qëndron dhe do të qëndrojë, që është t’i shërbejë shqiptarëve, demokracisë, zhvillimit të Shqipërisë nuk do të tronditen apo do të lëkunden për shkak të nevojave, halleve, problemeve personale të një njeriu të vetëm çfarëdo qofshin mjetet që ky person zgjedh të hedhë kundër Partisë Demokratike. Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptoj që është kthyer në një tub oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një axhendë të qartë politike, por në çdo rast, siç ju thashë, Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë”.

I pyetur se kur do të bëhet publike axhenda për kuvendin e 18 dhjetorit, Basha tha se, “rendi i ditës sipas rregullave të Partisë Demokratike, sipas kushtetutës tonë, sipas statutit të Partisë Demokratike është vendosur në mbledhjen e kryesisë në datë 15 nëntor”.

I pyetur nëse e ka menduar ndonjë çast dorëheqjen, Basha tha se, “asgjë nuk ka ndryshuar që nga momenti kur 85 % e anëtarësisë ka votuar një anëtar – një votë dhe më ka besuar t’i udhëheq në betejën kundër një regjimi që masakroi votën e shqiptarëve. Përveç shpalljes së zotit Berisha “non grata” dhe unë nuk kam asnjë arsye se pse për shkak të shpalljes së zotit Berisha “non grata” të tradhtoj besimin, të tradhtoj besimin e demokratëve, të tradhtoj besimin e shqiptarëve të cilët te Partia Demokratike shohin shpresën e vetme, alternativën e vetme për të ardhmen, për luftën kundër korrupsionit, për luftën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ndarjen e politikës nga krimi, për dhënien në fund të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve. Përkundrazi, jam më i motivuar se kurrë, në veçanti tani që shoh interesa që përputhen të një grushti njerëzish të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm e vetëm që ta mbajnë Shqipërinë plaçkë të interesave të tyre. Nuk mund të jetë Shqipëria plaçkë e interesave të aktorëve, të dy-tre aktorëve të tranzicionit 30-vjeçar. 18 dhjetori ka dhe një simbolikë tjetër, do të jetë dhe një moment transformues, jo thjesht për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë, pikërisht për t’i dhënë fund këtij tranzicioni, për t’i dhënë fund këtij mentaliteti të një grushti politikanësh që kanë 30 vjet që e trajtojnë Shqipërinë si plaçkën e tyre dhe jo siç është dhe duhet të jetë dhe si meriton të jetë, shtëpia e çdo shqiptari me mundësi për një jetë normale, me mundësi për një jetë të mirë, me mundësi për dinjitet për çdo shqiptar”.

Eunews.al

Comments are closed.