×
Friday, October 22, 2021

Basha duhet të shkojë në Korçë, aty do gjejë pse humbi më 25 prill

August 9, 2021

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, rezultatin e së cilës Partia Demokratike nuk e pranon, por që në Kuvend do të ulet si opozitë, brenda kampit blu nisën edhe pakënaqësitë. Pas 8 viteve si opozitë, të gjithë mendonin se rotacioni politik do të vinte, por ja ku jemi sot, ku me siguri Edi Rama po organizon qeverinë e re për betimin në shtator tek Presidenti.

Pakënaqësitë ndaj liderit të PD-së, Lulzim Basha nisën nga Korça. 5 mandate arriti PD-ja të marrë në këtë qark, nga 4 mandate që mori në zgjedhjet e 2017. Një diferencë jo shumë e madhe. Pak ditë më parënga PD-ja e Korçës, dhanë dorëheqjen e parevokueshme, 14 anëtarë të kryesisë përfshirë edhe kryetarin e sekretarin e saj, 51 dorëheqje të tjera janë bërë të ditura zyrtarisht.

Përmes një deklarate është bërë me dije se bëhet fjalë për 51 kryetarë, sekretarë grupseksionesh dhe Lidhjes Demokratike të Gruas të cilët kanë lënë postet e tyre. Shkak për këtë valë dorëheqjesh janë bërë pakënaqësitë për kryedemokratin Basha që sipas tyre e ka kthyer PD në një parti klienteliste. Kjo është goditja e dytë që merr PD në Korçë brenda pak ditësh ku janë dorëhequr 65 persona nga postet drejtuese duke zgjedhur të jenë vetëm anëtarë.

“Largimi nga funksionet është një kulturë që duhet të futet në Shqipëri, duhet të ishte bërë qoftë nga kryetari, qoftë nga strukturat drejtuese. Kemi pasur edhe shpresa mos ndoshta humbja do të lexohej drejt nga kryetari i partisë, do të kishim zhvillime që do ta bënin më demokratike partinë. Por pamë një lloj arrogance nga kryetari, qoftë në rizgjedhje, qoftë me ato që bëri më pas”, tha disa ditë më parë Andrea Mano, ish-kreu i degës së PD-së në Korçë.

Lulzim Basha duhet ta ketë në agjendën e tij me urgjencë planin për të organizuar PD-në e Korçës pas kësaj goditje, e cila edhe pse mund të duket e lehtë, në fakt është më rëndë sesa humbja në 25 prill. Pikë së pari zgjedhjet lokale po afrojnë dhe kupola e PD-së në këtë qark është shkrirë, ata që kishin vite kontribute dhe angazhim në PD tashmë nuk janë më, dhe kjo i sjell një humbje në tavolionë PD-së ende pa nisur gara.

Nëse z.Basha nuk niset drejt Korçës, që të mbledh strukturat dhe të japë një mesazh për bashkim dhe forcë, atëherë beteja e PD-së në Kuvend do të jetë sa për të marrë pagat. Nga PD-ja e Korçës duhet të nis edhe reflektimi i kreut të partisë më të madhe në opozitë, që edhe pse 8 vite në opozitë, tashmë me rikthimin në Kuvend, duhet të japë sinjalin e madh që situata mund të ndryshojë dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe që Edi Rama të kalojë në opozitë.

Nga Korça nis reflektimi për të gjetur arsyet e vërteta pse PD-ja humbi, dhe humbja nuk duhet të përfshijë kundërshtarët, por veten e saj përballë të vërtetave. Shkrirja e PD-së së Korçës nuk është as më pak e as më shumë sesa përgjigja e qytetarëve me parime demokratike që u lënë vendin të tjerëve kur humbin një garë.

Gara e 25 prillit ishte e fortë dhe përballë PD-LSI kishin PS-në që është prej 8 vitesh në pushtet, por pikat brenda PD-së pse humbi më 25 prill, z.Basha do ti gjejë në Korçë dhe nga aty nis puna për riorganizim të PD-së, që në shtator të nis betejën opozitare që do ta çojë në pozitë./ Nga: Redion Shtylla

Comments are closed.