×
Friday, April 12, 2024

Barometri i Turizmit i OKB-së, Rama: Shqipëria, destinacioni me performancën më të mirë në Evropë për 2023-shin

February 23, 2024


Barometri i Turizmit i OKB-së njofton se Shqipëria është destinacioni me performancën më të mirë në Evropë për vitin 2023, përsa i takon rritjes së flukseve turistike.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili ndau në rrjetet sociale statistikat e publikuara nga barometri i turizmit i OKB-së.

“Nga ato lajme që ta mbushin zemrën”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri theksoi se “ky është rezultat shumë domethënës i një përpjekjeje të gjithanshme, i cili shënon nivelin e ri ku është ngjitur Shqipëria në sytë e botës dhe po ashtu tregon drejtësinë e politikave tona zhvillimore në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030”.

“Hej miq dhe udhëtarë! Barometri i Turizmit i OKB-së sapo ka bërë të ditur se Shqipëria është destinacioni më i mirë në Evropë për vitin 2023! Jemi të emocionuar dhe krenarë që na vlerësojnë për peizazhet tona të bukura, kulturën e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë”, u shpreh Rama.

Ndërsa fton turistët e huaj të vizitojnë vendin tonë, Kryeministri garanton se “Shqipëria ka diçka për të ofruar për të gjithë”.

“Nëse jeni në kërkim të aventurave në malet tona madhështore, relaksit në plazhet tona të pacenuara ose të një udhëtimi në rrugët tona historike, Shqipëria ka diçka për të ofruar për të gjithë. Ejani dhe shikojeni vetë pse të gjithë po flasin për Shqipërinë. Le të krijojmë kujtime së bashku që do të zgjasin gjithë jetën”, shkruan më tej kryeministri.

Mbi 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2023, ndërkohë që shifra të larta vizitorësh vijuan edhe në muajt e parë të këtij viti, kur vetëm në janar 2024, vendi u vizitua nga rreth 500 mijë turistë të huaj.



Comments are closed.