Balluku në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, organizuar nga Kancelari Austriak, Sebastian Kurz.
Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor u mbajt në prag të Samiti të Këshillit Europian.
Të pranishëm në takim janë kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapic, kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
Kancelari austriak Kurz, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter Kurz është shprehur se Bashkimi Europian është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja nuk do të jetë e plotë për sa kohë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e saj. Ju mund të konsideroni mbështetjen tonë për reformat e kërkuara për rrugën drejt BE-së, po ashtu edhe për luftën kundër pandemisë”, u shpreh Kurz.
Diskutimet kryesore në këtë samit janë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe migrimi.
