×
Thursday, October 6, 2022

Balluku: Hetime nga FBI për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë

August 9, 2022

 Një grup i FBI është dislokuar në Tiranë për të mbështetur hetimet për zbulimin e autorësisë së sulmit kibernetik ndaj sistemit të shërbimeve online në vendin tonë.

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot nga Vlora ku inspektoi Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve Vlorë tashmë të rikonstruktuar se, “ky sulm ka qenë një sulm masiv dhe i bërë jo nga adoleshentë amatorë, siç zakonisht ne i kemi në mendje hakersat. Bëhet fjalë për një sulm të mirorganizuar ndaj shtetit shqiptar dhe strukturave të tij”.

“Megjithatë me punën e shkëlqyer që është bërë nga AKSHI dhe nga djemtë dhe vajzat që janë pjesë e këtij institucioni. Dhe sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë, pasi ka pasur një involvim të rëndësishëm të partnerëve, qofshin këta amerikanë, apo evropianë. Sidomos kemi një dislokim të FBI në Tiranë për të ndjekur gjithë procesin. Dhe duhet të ketë një investigim të thellë të këtij sulmi kibernetik, pasi sot lufta më shumë se kurrë zhvillohet në energji dhe në fushën kibernetike”, tha Balluku.

“Këto janë të gjitha fenomenet e zhvillimit teknologjik të botës, por edhe Shqipëria nuk përjashtohet nga këto sulme, ashtu siç ndodh kudo. Ndaj ne po marrim të gjitha masat. Mbështetja që kemi nga partnerët, nga aleatët dhe sidomos, siç thashë, ky investigim i thellësishëm që po bëhet nga FBI dhe agjencitë e tjera të inteligjencës, do të na japin të gjitha të dhënat, si ka ndodhur sulmi, nga ka ardhur, megjithëse një pjesë e tyre sot janë zbardhur”, u shpreh ajo.

“Tani na duhet që të fortifikojmë të gjithë ofrimin e shërbimeve në mënyrë elektronike për të mos pasur sulme të tjera, të cilat nuk rreshtin. Kjo është një gjë që gjithkush duhet ta dijë, që sulmet kibernetike janë konstante dhe siç thashë në këtë rast flasim për një sulm masiv profesional ndaj Republikës së Shqipërisë, por që me ndihmën e aleatëve ia kemi dalë me sukses dhe do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë”, theksoi ajo.



Comments are closed.