×
Saturday, March 6, 2021

Ballkani Perëndimor kthen kokën nga Lindja për vaksinat e koronavirusit

February 21, 2021

Nga Nektaria Stamouli

Falë Kinës, Serbia është shfaqur në krye të garës së vaksinimit që po zhvillohet në Evropën kontinentale. Vendi i Ballkanit Perëndimor, i ka dhënë të paktën një dozë vaksinë kundër koronavirusi rreth 7 për qind të popullsisë së tij.

Një normë kjo 2 herë më e lartë se sa mesatarja aktuale e Bashkimit Evropian, ku deri tani janë vaksinuar midis 3-4 për qind e njerëzve. Dhe shumica e 1.1 milion dozave të importuara nga vendi me 7 milionë banorë vijnë nga kompania kineze Sinopharm.

Një milion doza të tjera do të mbërrijnë në Beograd para muajit marsi, ndërsa ky vend po negocion gjithashtu me Rusinë për të marrë dhe madje filluar deri në fund të këtij viti edhe prodhimin në vend të vaksinës ruse Sputnik.

Gjithashtu, qeveria serbe është në bisedime me kompanitë farmaceutike që kanë zhvilluar 3 vaksinat që kanë marrë tashmë miratimin nga enti rregullator në BE. Kjo lëvizje nuk është pa rreziqet e veta. As Agjencia Evropiane e Barnave e BE (EMA) dhe as SHBA,nuk kanë autorizuar deri më tani përdorimin e vaksinës së Sinopharm, pasi asaj i mungojnë të ashtuquajturat të dhënat e provës së Fazës III, që gjenden kryesisht në revistat kryesore mjekësore.

Megjithatë, Hungaria, i ka dhënë dritën jeshile përdorimit të kësaj vaksine, sipas rregullave të emergjencës që e lejojnë një shtet anëtar të BE-së, të ecë përpara nëse rregullatori i BE nuk ka marrë një vendim, me kushtin që të marrë përsipër përgjegjësitë për çdo lloj problematike që mund të ndodhë.

Për Beogradin, shkalla e lartë e vaksinimit, ka provuar vlerën e qasjes delikate të balancimit gjeopolitik. Vendi është në bisedime për t’u anëtarësuar në BE, por kultivon gjithashtu lidhje të ngushta me Pekinin dhe aleaten e saj tradicionale Rusinë.

Për BE-në, kjo është një kujtesë e pakëndshme se po përballet me një konkurrencë të fortë për ndikim në lagjen e saj të afërt, ku zhgënjimi po rritet për shkak të qasjes së ngadaltë të bllokut për të lejuar anëtarësimin e më shumë vendeve. Dhe problemet me shpërndarjen  vaksinave vetëm po e shtojnë këtë zhgënjim.

Katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk kanë marrë ende një dozë të vetme, pavarësisht premtimeve nga Brukseli për të siguruar qasje tek ato. Komisioni Evropian premtoi 70 milion euro për të ndihmuar marrjen e vaksinave nga Ballkanin Perëndimor, taksa ka dhënë mbi 500 milion euro në nismën COVAX, që synon të garantojë një qasje të barabartë të gjithë botës tek vaksinat dhe trajtimet kundër koronavirusit.

Por nuk ka ende një afat kohor, se kur do të mbërrijnë në rajon vaksinat, ndërsa COVAX e ka pasur të vështirë të arrijë ndonjë gjë, pasi vendet e pasura i japin përparësi planeve të tyre të vaksinimit. Pritja për vaksinat, që ndodh në një kohë kur bashkimi me BE duket një perspektivë gjithnjë e më e largët, rrezikon që të shtyjë Ballkanin Perëndimor më larg bllokut.

Nën shembullin e Serbisë, shumë vende në rajon – të cilët kanë regjistruar disa nga nivelet më të larta të vdekjes për frymë gjatë pandemisë – kanë filluar gjithashtu të kërkojnë ndihmë në Lindje. “Në aspektin gjeopolitik, BE ka humbur deri më tani një mundësi të shkëlqyer për të treguar përkushtimin e saj ndaj rajonit”-thotë Andrius Tursa, këshilltar i Evropës Qendrore dhe Lindore në Teneo Intelligence.

“Kjo qasje mund ta dëmtojë perceptimin publik të bllokut në vendet e Ballkanit Perëndimor, pikërisht në një kohë kur zhgënjimi me perspektivat e kufizuara të anëtarësimit në BE, është tashmë i lartë”- shton ai. Kjo gjë, thekson Turusa, “lë hapësirë për Kinën dhe Rusinë, që të zgjerojnë ndikimin dhe profilin e tyre në rajon, dhe suksesi i vaksinimit në Serbi duke u mbështetur kryesisht tek vaksina kineze,është një shembull domethënës.

Një nga vendet që synon të ndjekë hapat e Beogradit, është Maqedonia e Veriut, ku askush nuk është vaksinuar ende. Me dërgesën e parë tëCOVAX që pritet të mbërrijë në mars, qeveria pro-evropiane ka vendosur tanimë që të negociojë me Kinën në një përpjekje për të siguruar më shpejt vaksinat anti-Covid.

Shkupi është gjithashtu në bisedime të drejtpërdrejta me kompaninë Pfizer për rreth 800.000 doza, të cilat shpreson t’i marrë që këtë muaj. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, thotë se kjo lëvizje nuk duhet të shihet si një distancim nga BE.

“Unë nuk e cilësoj këtë si një situatë politike dhe gjeopolitike. Kjo është një krizë e shëndetit publik. Ne të gjithë po përballemi me sfida me qasjen ndaj vaksinave. Vendet e BE po përballen me sfidat e tyre. Mendoj se mekanizmi i solidaritetit evropian është i vonuar, por jo i dështuar”- thotë ai.

Por të tjerët janë më kritikë. “Edhe para miratimit të vaksinave nga Agjencia Evropiane e Barnave, i gjithë prodhimi është blerë paraprakisht, dhe ne u lamë pas të prisnim. Njëlloj si me Titanikun, kur varkat e shpëtimit u zunë nga udhëtarët më të pasur; të varfrit u mbytën. Edhe në këtë rast kemi të njëjtën skemë”-thotë Dragan Danilovski, një epidemiolog në Shkup.

Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, po presin dërgesat e para me vaksina në pranverë nga nisma COVAX, por edhe ato po kërkojnë zgjidhje më të shpejta. Ministrja e Shëndetësisë e Malit të Zi, Jelena Bojoviç thotë se përveç një kontrate të nënshkruar kohët e fundit për 150.000 vaksina kineze, ajo do të kërkojë të sigurojë edhe 50.000 doza nga vaksina ruse Sputnik.

Qeveria boshnjake tha në mesin e janarit se do të fillojë negociatat me Moskën, Pekinin dhe Pfizer, dhe Kosova ndoqi të njëjtin shembull. Përveç Serbisë, Shqipëria është vend tjetër i Ballkanit Perëndimor që ka nisur fushatën e saj të vaksinimit. Kjo falë një vendimi të paidentifikuar të BE-së që i dërgon Tiranës një dërgesë simbolike me 975 doza.

Ndërkohë qeveria shqiptare ka siguruar gjithashtu 500.000 doza direkt nga Pfizer, me 1.170 prej tyre që kanë mbërritur deri më tani dhe 40.000 që do të dorëzohen në fund të shkurtit. Pjesa e mbetur nuk pritet para vjeshtës. “Për momentin nuk kemi asnjë program vaksinimi. Po mbështetemi më shumë tek arritja e imunitetit të tufës. Edhe pse nuk na pëlqen, natyra do të bëjë pjesën e saj”- thotë epidemiologu shqiptar Ilir Alimehmeti.

Ai shtoi se shqiptarët janë zhgënjyer kaq shumë herë nga BE, sa që “pritshmëritë nuk janë shumë të mëdha, ndaj edhe zhgënjimi nuk mund të jetë shumë i madh”. Rama e ka cilësuar dështimin e BE-së me shpërndarjen e vaksinave si “moralisht dhe politikisht të papranueshëm”, duke shtuar:“Nëse shihni mënyrën se si BE e ka konceptuar këtë proces, për momentin ajo ka vendosur të mendojë vetëm për veten e saj”. / Politico.eu

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për