×
Friday, December 3, 2021

“Ballkani i hapur”, treg përtej Shqipërisë për kafshët e gjalla dhe prodhimet blegtorale

November 21, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në kuadër të ‘Ballkanit të hapur’, për herë të parë, nga viti i ardhshëm, do të kemi treg përtej Shqipërisë për kafshët e gjalla e për prodhimin e mishit dhe për prodhime blegtorale”.

Në prezantimin e buxhetit 2022 për bujqësinë, Rama tha se “shteti bën mbështetje dhe bën hapje rrugësh”.

“Kjo është një nga përgjigjet për të gjithë ata që ngrihen kundër ‘Ballkanit të Hapur’. Ne kemi arritur tani që për herë të parë, nga viti i ardhshëm, do të kemi treg për kafshët e gjalla e për prodhimin e mishit dhe për prodhime blegtorale përtej Shqipërisë. Deri sot kjo ishte e pamundur. Sot unë ju them që me marrëveshjen që do firmosim në fund të vitit, në hapësirën e Maqedonisë së Veriut, në hapësirën e Serbisë dhe me përfshirjen e të tjerëve në gjithë hapësirën e Ballkanit, do të mund të tregtohet mishi, do të mund të tregtohen prodhimet e mishit dhe prodhimet blegtorale, gjë që është kërkesa numër një e të gjithë atyre që investohen në këtë fushë”, sqaroi Rama.

Sipas tij, “këtu në Shqipëri kjo është kërkesa numër një për ta rritur këtë sektor”. “Si do ta stimulojmë ne blegtorinë kur nuk shiten dot jashtë produktet? Nuk ka mundësi! Cila është kërkesa e tyre? “Na hapni rrugët e Lindjes së Mesme”, “na hapni rrugët e Turqisë”, se në BE dihet që do jetë një histori më vete ajo. Një nga pikave që e ka penguar një prej vendeve që sot është anëtar i Bashkimit Europian me një kohë ekstra për t’u bërë anëtare e BE ishte pikërisht mishi, thertoret, standardet, se nuk të fut njeri në BE nëse nuk i ke këto standarde, por ajo është një kohë tjetër”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “ne duhet të hapim tregje për këta njerëz dhe tregje për këto prodhime dhe pastaj hapja e tregjeve, krijimi i sinergjive sjell rritjen e të ardhurave, sjell rritjen e përfitimit”.

Rama tha se “nuk mund të pretendojmë rritje përfitimi duke ndenjur secili në vete e duke pritur që shteti të vijë e ti japi të gjithëve lekë”.

“Bujqësia është pa diskutim në rrugën e duhur, por njëkohësisht sa më shumë ecën në këtë rrugë, aq më e madhe bëhet sfida dhe aq më e madhe bëhet nevoja për mbështetje”, tha ai.

Ndaj, Kryeministri theksoi se “ne do t’i japim mbështetje shumë më të madhe me këtë buxhet, krahasuar me të gjitha buxhetet e tjera”.

“Është buxheti më i madh për bujqësinë ky i vitit 2022 dhe është aty për të mbështetur të gjithë ata që punojnë dhe të gjithë ata që e kuptojnë dhe një gjë tjetër, që paratë nuk mund të të vijnë sikur po hidhen në lumë, por paratë të vijnë duke pasur ti kapacitetin që t’i thithësh ato përmes dy gjërave. E para, të bashkohesh”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “ne nuk mund dot të financojmë tek e tek njerëz, ndaj duhet që të stimulojmë bashkimin”.

“Nuk bëhet fjalë që të bashkohen pronat, bëhet fjalë që të bashkohen forcat. Secili në parcelën e vetë. Në momentin që je i bashkuar, negocion çmimin ndryshe, je në formulën që është A-ja e gjithë kësaj pune. Veç në prodhim, bashkë në shitje. Po ashtu nga fara, tek fidani apo tek kultura që do mbjellin apo pesticidet që do përdorin apo tek të gjithë proceset që do ndjekin, bëjnë të njëjtën gjë dhe është njësoj sikur është një kooperativë e madhe, por në vend se të ardhurat të shkojnë tek një dorë, shkojnë tek të gjitha duart sipas kontributit që kanë dhënë”, sqaroi Rama.

Rama u ndal po ashtu te mbështetja që i është dhënë grumbulluesve”.

“Të gjithë atyre që dolën atje për çështjen e rimbursimit të TVSH-së, unë u them shumë thjesht, do takohemi prap vitin tjetër dhe do shikojnë që ata do jenë përfitues më të mëdhenj se deri sot nga çfarë kishin. Ky është fakti, sepse bujqësia do përfitojë më shumë, ekonomia do përfitojë më shumë, punësimi do përfitojë më shumë e natyrisht kur them punësimi, për ata që duna të punojnë.

Nuk e kam takuar akoma sot asnjë sipërmarrës, as në qytet, as në fshat, ja ku janë këtu le të flasin, që nuk kanë vende të lira pune. Të çohet e të thotë a je gati të punësosh të tjerë dhe përgjigja do jetë, jo vetëm jam gati, por ku janë të tjerët sepse rritja e prodhimit kërkon rritje të forcave për sa kohë që akoma ne nuk jemi në fazën që ta humbasim krahun e punës pë r shkak se teknologjia po na e bën me robot këtë punë, nuk jemi në atë fazë”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri solli shembullin e suksesshëm të një eksportuesi shqiptar në tregjet e huaja”.

“Ja ku është Musai, ai ishte në kushte mbijetese, sot lidh kontratë në Gjermani për të shitur të gjithë vajin e ullirit. Por janë të tjerë akoma në sektorin e përpunimit të ullirit e të vajit që bëjnë të njëjtën gjë. Një nga vajrat më të shtrenjtë në Europë sot të ullirit, është një vaj shqiptar që shitet në farmaci në Zvicër, në farmaci, jo në dyqan. Vaj shqiptar. E ku prodhohet? Prodhohet këtu. E kush e prodhojnë, të vdekurit?

Jo e prodhojnë ata, që punojnë dhe që nuk bëjnë lajm, se kur shkon Musai, lidh kontratë me Gjermaninë apo kur sektori i peshkimit, nga një sektor me dy destinacione vetëm, i keqtrajtuar dhe i abuzuar nga ato destinacione dhe nga ato tregje në Itali e në Greqi, sot ka 27 vende e shkojnë prodhimet e detit të Shqipërisë deri në Hong-Kong dhe janë gati tani, shpresoj të mbyllet së shpejti, të futen në tregun më të komplikuar, më të vështirë, më të ngatërruar që është Japonia, nuk bën lajm. Nuk e di njeri. Ama dalin ca njerëz në protestë dhe thonë mbaroi bujqësia, mbushen televizorët”, tha ai.

Eunews.al

Comments are closed.