×
Friday, December 3, 2021

“Ballkani i Hapur”, Rama: Qasje për çlirimin e potencialeve të ndrydhura të rajonit

November 6, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nisma “Ballkani i Hapur” është një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ndrydhura të këtij rajoni dhe të lehtësimit të dialogut dhe të lehtësimit të rrugës së zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Në lidhje me takimin e fundit në kuadër të nismës në Beograd, Rama tha se “besoj se ishte takimi më produktiv që kemi pasur sepse u përqendrua i tëri tek çështjet konkrete të njerëzve, të kompanive, të distributorëve, eksportuesve”.

“Zhvilluam një bisedë shumë interesante shumë të hapur “me dyer të mbyllura” me përfaqësitë nga të tre vendet që kanë marrëdhënie biznesi të lidhur me kufijtë mes këtyre vendeve. Dhe faktikisht është për të ardhur keq sa shumë kohë është humbur dhe çfarë kosto kanë pasur të gjithë njerëzit që e kanë punën të lidhur me ndërveprimin që kalon përmes këtyre kufijve. Por ajo që është më e rëndësishmja është se tanimë kemi ngritur një këshillë për zbatimin e marrëveshjeve të përqendruar pikërisht te lehtësimi i lëvizjes së mallrave të shërbimeve, të kapitaleve, natyrisht liria e lëvizjes së njerëzve është diçka më e lehtë sepse tani është në proces dhe është e garantuar”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjes se përse Kosova duket ngurruese.

“Mendoj që ka nga ana e Kosovës ose më saktë nga ana e politikbërësve dhe vendimmarrësve në Kosovë një qasje e cila është thelbësisht e ndryshme dhe është e drejta e tyre, nuk diskutohet por nga ana tjetër unë kam bindjen që kjo nismë është jo vetëm një domosdoshmëri por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ndrydhura të këtij rajoni dhe të lehtësimit dhe dialogut dhe të lehtësimit të rrugës të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës po ashtu”, theksoi Rama.

“Nuk dua të hyj në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është një qasje e destinuar të dështojë dhe është një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkundi. Përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë pozitive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe shumë i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në një problem të tyre. Dhe kjo nuk është gjë pozitive”, theksoi Rama.

“Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërisë për t’u njohur nga të gjithë dhe për t’u ulur me të drejta të plota në kombet e bashkuara dhe në të gjitha instancat e tjera dhe që ka të gjithë autoritetin e nevojshëm demokratik për të marrë vendime për veten, por që nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen, nuk është në pozicionin se është si rezultat i një lufte çlirimtare të mbështetur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve dhe nuk është në pozicionin që të marri rrugë të reja pa u konsultuar me askënd dhe për më tepër rrugë të reja që askush nuk i mbështet siç është edhe në rastin konkret”, theksoi Rama.

“Ne nuk kemi fuqi të ndryshojmë mënyrën si funksionon bota, ne nuk kemi fuqi për të marrë vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote. Ne kemi vetëm mundësinë të shfrytëzojmë fuqinë tonë për të marrë vendimet e duhura për vete, pa harruar që nuk jemi vetëm por që kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe këto janë aleatët tanë strategjik. Kështu që këto janë ide që absolutisht janë legjitime, mund të diskutohen, por që janë humbje kohe për sa kohë askush nuk i sheh me interes në tryezat ku merren vendime, që do të thotë në Bruksel, Berlin, Paris, Washington. Kështu që për çfarë duhet ta humbasim kohën. Dhe sigurisht që gjithkush është në të drejtën e tij të përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon, por unë nuk mendoj që fuqia nga populli mund të përdoret për të hyrë në rrugë ku je vetëm”, vijoi ai.

Rama tha Vuçiç se jo vetëm që e përmendi Kosovën, por për herë të parë ai e nënvizoi publikisht që Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë.

“Kështu që në këtë aspekt nisma është e qartë qysh në krye të herës që normalisht ishte gati për të filluar më përpara por që unë asnjëherë nuk e kam rënë dakord që nisma të fillojë pa marrë dakordësinë e plotë dhe të qartë nga ana e presidentit të Serbisë që kjo është një nismë gjithëpërfshirëse ku Kosova do të ulet me të drejta të barabarta dhe ku askush nuk do t’i imponohet askujt për asgjë dhe secili bën atë që do”, tha Rama.

“Tryeza e Ballkanit të Hapur nuk është si tryeza e procesit të Berlinit, as si tryeza e Këshillit Europian ku po nuk deshi njëri, të tjerët duhet të rrinë të ngrirë apo duhet të presin derisa të shkrijë ai që nuk do. Është një tryezë e hapur, principet janë aty dhe është një njësi zbatimi e procesit të Berlinit. Pra të thuash që unë e dua Procesin e Berlinit por që Ballkani i Hapur është një nismë pa vizion, është të mos kuptosh procesin e Berlinit ose të bësh sikur mos kuptosh Ballkanin e Hapur”, tha ai.
Eunews.al

Comments are closed.