Balla takim me Asamblenë e PS Athinë: Shqipëria në BE në 2030 do të thotë hapja e një epoke të re krenarie dhe mundësish të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste në Athinë.
Në fjalën e tij mimistri Balla theksoi se Shqipëria në BE në 2030 do të thotë mbyllje e një epoke të gjatë përpjekjesh e mundimesh dhe hapja e një epoke të re krenarie dhe mundësish të mëdha për Shqipërinë e për shqiptarët kudo ku ata jetojnë.
Sipas Ballës që nga viti 2013 deri me sot Shqipëria ka pësuar transformim të paimagjinuesjëm.
“Transformimi i Shqipërisë nga viti 2013 në 2024, edhe në 2025 kur do të kemi zgjedhje, është një transformim i paimagjinueshëm. Askush nuk e mendonte në Shqipërinë e 2013, ku para ligjit kishte vetëm pabarazi. Nuk erdhi nga qielli. Ishte angazhim i Partisë Socialiste, e cila e premtoi që në zgjedhjet e vitit 2009, nuk e bëri dot sepse nuk mori mandatin për të qeverisur. E premtoi në vitin 2013, shqiptarët e votuan me shumicë dhe e bëri realitet në vitin 2016. E implementoi në mandatin e dytë dhe vazhdon ta mbështesë çdo ditë,” u shpreh Balla.
Duke ndalur te progresi ekonomik, ministri Balla nënvizoi rritjen e buxhetit të vendit, duke theksuar:
“Një buxhet prej 2.8 miliardë euro kishte Shqipëria në 2013. Çfarë ka ndodhur që vendi në gjithë Ballkanin, që ka rritjen më të madhe të buxhetit, është Shqipëria? Ka shkuar nga 2.8 në 8.2, pra është trefishuar. Mirëqeverisje, mirë administrim të ardhurash, mbledhje më e mirë e taksave dhe, natyrshëm, një kontribut të veçantë kanë edhe të ardhurat shtesë që erdhën nga rritja historike e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Nga kjo rritje e madhe e ekonomisë sonë, ajo që duhet të bëjmë është ta bëjmë më gjithëpërfshirëse. T’u japim pak më shumë atyre që kanë nevojë, pensionistëve.”
Duke folur për marrëdhëniet me Greqinë, Balla theksoi rëndësinë e tejkalimit të sfidave dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve:
“Greqia ka qenë dhe mbetet një mbështetës i fuqishëm i Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Evropë dhe çështje të caktuara që frymëzohen më shumë nga qarqe nacionaliste sesa nga logjika e dy popujve miq, duhet t’i tejkalojë pala greke. Ne e konsiderojmë Greqinë vend mik, partner, mbështetës të pakursyer të procesit të Shqipërisë në BE. Këtu, ju, komuniteti shqiptar që jetoni këtu, keni një rol të rëndësishëm. Ju jeni njëra këmbë e urës, keni edhe këmbën tjetër të minoritetit grek në Shqipëri, dhe të dyja këto këmbë ure janë një lidhje e fortë mbi të cilat bazohen marrëdhëniet mes vendeve tona.”
Në përmbyllje, Balla u shpreh me optimizëm për të ardhmen:
“Mandati i katërt i Edi Ramës dhe i Partisë Socialiste do të jetë një mandat kurorëzimi i një përpjekjeje shumëvjeçare për ta parë Shqipërinë krah për krah Greqisë si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.”