Balla: SPAK të marrë në pyetje Sali Berishën, mos dyshoni për ato që thotë SHBA për të
Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë thirrje që SPAK që të marrë në pyetje Sali Berishën. Nga foltorja e Kuvendit, Balla hodhi akuza ndaj Berishës për skandalin CEZ-DIA, ndërsa theksoi se asnjëri nuk duhet të guxojë të vërë në dyshim ato që thotë SHBA. Sipas tij, DASH e akuzon Berishën si të përfshirë në korrupsion dhe drejtësia nuk guxon ta marrë në pyetje.
“Gjej rastin ta përshëndes pasi e kritikova se thonë mediat më në fund SPAK kanë vendosur të rihapin dosjen CEZ-DIA. Qoftë e vërtetë që SPAK të jetë zgjuar dhe të hapë edhe atë çështje. Ai që foli këtu ka një kallëzim penal nga Kuvendi i Shqipërisë për një dëm të shkaktuar shtetit shqiptar.
Është shitur një mall shtetëror pa i ditur vlerën dhe nuk dihet nëse shteti shqiptar i ka marrë lekët apo jo. Nuk e di njëri që ato u dhanë, u paguan. Pas 3 vitesh Sali Berisha e riktheu pas e anuloi privatizimin. Të shkojë drejtësia dhe ta marrë njëherë në pyetje Sali Berishën. Asnjë prej nesh nuk duhet të guxojë të vërë në dyshim atë që thonë SHBA. Kur thonë që është i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe drejtësia nuk guxon ta thërrasë ende për çështje që është i kallëzuar. Për çfarë duhet ta besoj unë SPAK nëse ai është i përfshirë. Prandaj Sali veri këto se kërcënove edhe kryetaren e Kuvendit, harroje ti Sali që mund të kërcënosh më ndonjë socialist apo qytetar se ç’bën me të tutë”, u shpreh Balla.