×
Wednesday, July 16, 2025

Balla: Protestat me molotov, degradim i opozitës

May 9, 2024


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, protestat me molotov para bashkisë janë degradim i opozitës.

Duke replikuar në Kuvend me deputeten e PD Albana Vokshi, e cila mbante të veshur një bluzë ku kërkohej lirimi i kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, Balla tha se, “duket më shumë se qesharake që të vish këtu në Kuvend, të flasësh për luftën kundër korrupsionit, duke mbajtur në gjoks një person të akuzuar për korrupsion”.

Balla theksoi se, “Kuvendi ka një kod etike, ku deputetët janë të detyruar të respektojnë kodin e etikës sa i përket edhe veshjes. Unë do ta quaja fyerje prezencën e disa prej jush këtu që jam i bindur se e bëni në shenjë mirënjohjeje, sepse mendoni pse ia keni borxh Saliut se jeni në këtë sallë”.

“Ju kam parë se shkoni edhe tek protestat tuaja tek bashkia. Nuk e di dhe nuk gjej dot shpjegimin përse duhet të shkosh të protestosh tek bashkia me bluzën “Lironi Saliun”? Dhe nuk gjej dot përgjigje”, u shpreh Balla.

Duke folur për marrëveshjen me bankën gjermane KfW për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”, Balla tha se, “nuk e fsheh asnjëherë, dhe të paktën 19 vitet e fundit i kam votuar të gjitha marrëveshjet me qeverinë gjermane me KfW-në, edhe kur kam qenë në opozitë. Natyrisht, edhe në shumicë. Projektet me qeverinë gjermane kalojnë 1.2 miliardë euro, po shkojnë 1.3 dhe i jemi shumë mirënjohës qeverisë gjermane, që përmes KfW-së, një instrument për mbështetje financiare, ka dhënë mundësinë që me projektet e veta të jetë prezente në të gjithë territorin e vendit dhe në fusha të një rëndësie të veçantë, sikurse janë ujësjellësit, sikurse janë kanalizimet, sikurse janë rrjetet e transmetimit të energjisë”.

Duke folur për votën kundër të deputetëve të opozitës për këtë marrëveshje, Balla tha se, “keni deklaruar që do ta votoni kundër, sepse ju jeni kundër përmirësimit të transportit urban në Tiranë; sepse ju jeni kundër përmirësimit të linjës që lidh Kombinatin me Kinostudion, Unazën e Tiranës, Tiranën e Re, që janë pjesë e këtij projekti, me autobusë tërësisht miqësorë me mjedisin, që nuk përdorin lëndë djegëse fosile. Ju jeni kundra”.

Balla foli edhe për protestat e Rithemelimit të PD-së para bashkisë.

Balla tha se, “e drejta për protestë është kushtetuese dhe nuk preket”, por shtoi ai, “degradimi me bomba molotov në momentin kur në sheshin qendror të shqiptarëve, sheshin “Skëndërbej” janë dhe të paktën 2 mijë turistë të huaj, kjo nuk është politikë, kjo nuk është as opozitë, po ky është degradim i një opozite të shpërbërë në 100 copash që të paktën ia keni borxh vendit që ju ka bërë deputetë, që mos dëmtoni këtë industri kaq të rëndësishme, sikurse është turizmi”.




Comments are closed.