×
Friday, April 12, 2024

Balla: Pronat e sekuestruara po kthehen në strehëza për vajzat dhe gratë e dhunuara

February 23, 2024


Ministri i Brendshëm Taulant Balla, nga Korça u bëri thirrje të gjitha vajzave, grave dhe nënave të denoncojnë çdo lloj dhune.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se Policia e Shtetit ka një qasje të re ndaj këtij fenomeni dhe për këtë arsye ai kujtoi se një pjesë e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi po vendosen në shërbim të organizatave joqeveritare, duke i kthyer në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara.

“Dua të komunikoj me ju faktin se tashmë kemi një protokoll tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit lidhur me konstatimin më të parë të një shqetësimi apo të një ankese, për sa i përket dhunës në familje, kryesisht bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore, dhunë seksuale”, tha Balla.

“Unë nxis çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë të këtij vendi që të denoncojë rastet e dhunës dhe dua ta garantoj që jo vetëm Policia e Shtetit për sa i përket pjesës që i takon, por edhe institucionet e tjera – ju e keni parë dje ne kemi filluar një qasje të re sa i përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi dhe korrupsioni – do mundohemi që një pjesë të këtyre pronave t’i vendosim në shërbim të organizatave joqeveritare, të cilat të kthehen në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Sipas tij, beteja ndaj dhunës nuk është vetëm e Policisë, por e të gjithë shoqërisë.

“Kjo betejë nuk është një betejë që mund ta fitojë vetëm Policia e Shtetit. Policia e Shtetit është aty për të bërë ndërhyrjen e parë, dhe natyrshëm për të vendosur para ligjit dhunuesin, por kjo është diçka që unë mendoj duhet t’i bëjmë një apel gjithë shoqërisë tonë. Lufta kundër dhunës seksuale, dhunës me bazë gjinore nuk është diçka që zhvillohet dy javë kur mblidhen gjithë shoqatat e këtij vendi për të sensibilizuar. Unë mendoj që kjo duhet bërë çdo ditë dhe ju mediet keni një meritë të veçantë sikurse keni dhe një përgjegjësi të madhe për të sensibilizuar dhe për ta bërë shoqërinë sa më të bashkuar kundër këtij fenomeni të papranueshëm”, tha Balla.

Në kuadër të sensibilizimit, Balla kujtoi dhe paketën e “Sigurisë në shkolla”. Ai, teksa ishte i pranishëm në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, nga ku u bëri ftesë të gjithë nxënësve të denoncojnë çdo fenomen dhune që hasin apo kanë dijeni.

“Në këtë aspekt isha sot këtu në një prej shkollave më me emër të Korçës, sikurse është ‘Raqi Qirinxhi’, nga e cila jo vetëm kanë dal një numër i madh personalitetesh me një kontribut të shquar jo vetëm për Korçën, por për gjithë vendin për të diskutuar me djemtë dhe vajzat e kësaj shkolle edhe për sa i përket Paketës së Sigurisë në shkolla”, tha Balla.

“Besoj që biem të gjithë dakord se kjo paketë po jep dita-ditës efektet e mirëpritura nga komuniteti, nga publiku sa i përket garantimit që çdo vajzë dhe çdo djali i Korçës që frekuenton këtë shkollë apo shkolla të tjera të jetë i garantuar jo vetëm sa i përket sigurisë brenda në shkollë, por ne po punojmë bashkë me institucionet e tjera për të garantuar sa më shumë siguri në komunitete”, shtoi Balla.

Ministri i Brendshëm kujtoi dhe vendimin e qeverisë për të forcuar kompetencat e Prefektit.

“Kemi miratuar kësaj jave në mbledhjen e qeverisë ligjin e ri, ndryshimet për në Ligjin e Prefektit për të ngritur shumë shpejtë Këshillat Vendor të Sigurisë Publike përmes të cilave do të garantojmë një koordinimi më të mirë të të gjithave institucioneve të sigurisë, agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera për më shumë siguri dhe për më shumë një qasje proaktive në parandalimin e çdo ngjarje kriminale. Një koordinim më të mirë të të gjithë institucioneve të sigurisë, agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera, për më shumë siguri, për një qasje pro aktivë në parandalimin e çdo ngjarjeje kriminale”, përfundoi Balla.



Comments are closed.