×
Thursday, April 18, 2024

Balla në Krastë: Arsyet pse Partia Socialiste meriton mandatin e tretë

April 2, 2021


Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Elbasanin, Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Krastë të Elbasanit, ku renditi disa arsye pse Partia Socialiste meriton një mandat të tretë.

“Ne nuk duam që takimet tona elektorale të jenë aleatë të COVID-it, por ne duam që ta mbyllim këtë luftë me ballin lart. Doja t’ju lutesha, kushdo që është vetë ose ka prindërit mbi 70 vjeç, duhet një orë e më parë të vijë në qendrat e vaksinimit. Kemi një qendër vaksinimi në qendër të Elbasanit, ku çdo qytetar mbi 70 vjeç mund të vijë dhe t’i nënshtrohet vaksinimit”, tha ai.

Balla u ndal te procesi i legalizimeve, ndërsa shtoi se, “nëse ka një parti që do ta çojë në përfundim procesin e legalizimeve, ajo është vetëm PS”.

“Gjithë procesi i legalizimeve në zonën e Krastës, deri në maj të vitit 2020 kush e ka ndërtuar shtëpinë sipas ligjit që e kemi ndryshuar, deri në 31 dhjetor 2021, asnjë shtëpi në zonën e Krastës nuk do të jetë pa legalizuar dhe secili prej jush do të ketë certifikatën e legalizimit. Këtu në këtë zonë pjesa më e madhe e ka përfunduar legalizimin”, tha ai.

Po ashtu, Balla foli transformimin urban të kësaj zone, si dhe projektet për nxitjen e punësimit dhe në mbështetje të të rinjve.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Balla tha se, “Sali Berisha dhe Ilir Meta janë aty sot, për ta prishur, për ta dëmtuar, për ta penguar dhe për ta zhbërë atë që ne kemi bërë. Prandaj thirrja ime është që ne të jemi në 25 prill për ta ndihmuar Edi Ramën, SHBA-në dhe BE-në ta çojnë përpara këtë reformë”.

“Lista e PS është një listë, e cila përfaqëson Elbasanin. Secilin prej kandidatëve i njihni dhe janë njerëz që kanë jetuar, jetojnë, kanë lindur në Elbasan. Gjeni pak në listën e PD, kush do ta përfaqësojë Partinë Demokratike në listën e propozuar prej tyre në Parlament. I pesti është nga Elbasani, një kandidat, i cili në CV-në e tij shquhet vetëm se para dy vitesh ka vrarë 37 thëllëza a 27 thëllëza brenda një dite. E për turp dalin e promovojnë që kur të vijë PD në pushtet, do të heqë moratoriumin e gjuetisë”, përfundoi Balla.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments