×
Friday, April 12, 2024

Balla: Kërkohet më shumë bashkëpunim për rritjen e sigurisë në shkolla

February 26, 2024


Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i pranishëm në aktivitetin “Rinia 2030, 1-vjetori i zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029”, tha se rritja e sigurisë kombëtare vjen përmes krijimit të aleancës kundër lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit tek të rinjtë.

Sipas tij, paketa e sigurisë në shkolla ka dhënë rezultate shumë të mira, por niveli i sigurisë duhet të ngrihet në një nivel tjetër. Në këtë prizëm, Balli solli në vëmendje dhe propozimin ligjor të qeverisë për forcimin e rolit të Prefektit, duke krijuar “Këshillat Vendor të Sigurisë Publike”.

“Ne kemi nisur atë iniciativë që kemi nisur së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, dhe që u përkufizua si Paketa e sigurisë në shkolla. Dhe për ta ngritur në një nivel tjetër sigurinë, shumë shpejt do të kemi në nivel vendor Këshillat Vendor të Sigurisë Publike, ku prefektët do të kenë bashkëpunim me të gjitha institucionet, kryetarët e bashkive, drejtoritë e arsimit, me institucionet e tjera ligjzbatuese, që lidhen me sigurinë publike në nivel vendor, dhe më shumë se kaq me sigurinë pranë institucioneve arsimore”, tha Balla.

“Kanë kaluar më pak se gjashtë muaj nga momenti kur e iniciuam paketën të dyja ministritë së bashku, dhe kjo është si çdo betejë tjetër, ajo mund të fitohet nëse kemi më shumë bashkëpunim dhe jemi të gjithë së bashku”, vijoi Balla.

“Jo të gjithë bashkëpunojnë për të informuar Policinë e Shtetit, për të informuar oficerin e sigurisë në shkollë për personat që përfshihen në fenomenet negative dhe s’flasim vetëm për shpërndarjen e lëndës narkotike. Ai është një nga fenomenet që kërkon forcë goditëse më të madhe nga ana jonë, edhe pse rezultate janë të mira. Por ajo që duhet, është bashkëpunim i nxënësve, stafeve…etj, për të denoncuar individët që ngrenë këto kurthe në shkolla, ndaj fëmijëve tanë”, theksoi Balla.

“Besoj e keni ndjekur, që kemi iniciuar një debat dhe gjithëkush është i mirëpritur të marri pjesë në diskutim për një qasje të re ligjore për sigurinë digjitale. BE ka iniciuar dy akte, që lidhen me sigurinë digjitale dhe me tregjet digjitale. Dhe na mjaftuan disa episode tragjike, për sa i përket rrjeteve sociale për t’u zgjuar të gjithë dhe për të kërkuar, drejtuar gishtin dhe kërkuar përgjegjësi, edhe pse s’duhet të harrojmë se çfarë kemi bërë ne për të adresuar, për të njoftuar organet ligjzbatuese. Në rrjetet sociale, në një pjesë të madhe prej tyre, ka sot një gjuhë të papranueshme dhe ka shumë raste të cilat frymëzojnë dhunën, përdorimin e lëndëve narkotike, bullizimin, madje përdoren rrjetet sociale për një formë të ndryshme të krimeve online”, u shpreh Balla.

“Tek krimet online, Policia e Shtetit është munduar të ngrejë disa struktura, që janë në fazë konsolidimi. Ajo që duhet të bëjmë më mirë është që e gjithë shoqëria të solidarizohet dhe të raportojë rastet e dhunës. Flas për dhunën online, pasi kjo formë dhune, do të vijë duke u shtuar, por nëse shoqëria do të ndërgjegjësohet dhe do ta denoncojë. Nuk ka pasur asnjë report më tha drejtori i “Tiktok” për dhunën. Asnjë person përdorues i rrjetit nuk është ankuar, tek ai butoni “report”. Prandaj dhe jemi këtu sot, ne kërkojmë një aleancë me të gjithë ju, që të kërkojmë të krijojmë një koalicion kombëtar kundër lëndëve narkotike, alkoolit dhe kundër duhanit tek të rinjtë”, tha Balla më tej.



Comments are closed.