Balla: Goditje grupeve kriminale të përfshira në migrimin e parregullt
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një postim në rrjetet sociale theksoi se në fokus të punës së Policisë është goditja e grupeve kriminale të përfshira në veprimtarinë e paligjshme të migrimit të parregullt.
Sipas Ballës, prej fillimit të vitit janë realizuar 15 operacione dhe ndaluar mbi 500 persona.
“Policia e Shtetit dhe FRONTEX po punojnë me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e treta”, shkruan Balla.
“Prej fillimvitit janë realizuar 15 operacione policore me mbi 500 persona të identifikuar/të trafikuar për hyrje ilegale në territorin e vendit tonë. Janë arrestuar/proceduar 45 shtetas të dyshuar për vepra penale të trafikimit të paligjshëm dhe vijojnë hetimet në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese me fokus goditjen e grupeve kriminale të përfshira në këtë veprimtari të paligjshme”, theksoi Balla.







