Balla: Fitojmë 9 mandate në Elbasan. Lista e fallxhores së LSI po hetohet nga SPAK
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla tha se gjatë vitit 2020, edhe pse vendi ishte nën ndikim e pandemisë, në Elbasan numri i të punësuarve u rrit.
Gjatë fjalës së tij, në aktivitetin për prezantimin e kandidatëve të PS në Elbasan, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Balla u shpreh se në mbledhjen e Kryesisë së PS ka kërkuar që të ishte i nënti në listën e Elbasanit, por në një vendim unanim u vendos i teti.
“Në 31 dhjetor 2020 në Elbasan kishte të punësuar në sektorin privat pak më shumë sesa në dhjetor 2019. Edhe pse një vit i ndikuar nga pandemia, numri i të punësuarve jo vetëm që nuk ra, por pësoi rritje. Në Elbasan falë paketave të mbështetjes së qeverisë shqiptare ne kemi arritur që të përthithim plot 12500 paga në një vlerë prej 6.7 milion dollarësh.
Secili prej jush në kete listë është për një arsye, sepse ka qenë sukses në punën e tij. Belshi është një transformim si nata me ditën. Belshi jo 30 vite, por unë do të thoja 70 vite ka vuajtuar çështjen e ujit të pijshëm, falë investimeve të qeverisë, por edhe falë administrimit të ujësjellës-kanalizimeve.
Në krahun tjetër të majtë është Kristaq Skënderi, student i dhjetorit që kandidon në listën e Partisë Socialiste. Nëse krahasojmë listën tonë me listat e tjera, në listën e PD mungon Shpati, mungon Dumreja.
Dash Sula do të përfaqësojë në Kuvend Dumrenë, Belshin. Provokim dhe fyerje më të madhe ndaj gjithë asaj krahine të respektuar, që PD e ka fshirë fare nga lista. Kush e mban mend qytetin e Belshit, PD kishte investuar vetëm në liqen, pamja nga rruga dhe ëc-të në liqen.
Florenci si një mjek i përkushtuar për mua ka qenë një surprizë pozitive për komunikimin e përditshëm që ai ka me qytetarët. Ajo që ne kemi kontratën me njëri-tjetrin brenda këtij ekipi është që deputetët e PS, duhet të jenë çdo ditë në territor. Ajo që më ka mbajtur mua 15 vite dhe ky është viti i 16-të të jem i vetmi deputet dhe të kandidoj historikisht në të njëjtën zonë zgjedhore në Librazhd, është pikërisht angazhimi për të qenë jo vetëm në fundjavë, por edhe ditë të tjera të javës në shërbim dhe në komunikim me njerëzit. Ajo që duhet të bëjë dallim mes jush është pikërisht ky angazhim me njerëzit. Lista jonë me 15 njerëz që jetojnë, punojnë këtu me ju është pikërisht lista që bën diferencën.”, deklaroi ai.
Balla u ndal edhe tek lista e LSI në Elbasan, ku tha se aty janë fshehur persona në kërkim nga drejtësia.
“Tani dy fjalë për listën e fallxhores në Elbasan, një listë brenda së cilës janë fshehur persona në kërkim nga drejtësia. Persona që kanë abuzuar me financat publike, teksa kanë pasur mundësinë të jenë kryetarë bashkish të zgjedhur jo për shkak të votave, por për shkak të një koalicioni që ne duhet ta bënim për të larguar Sali Berishën. Në 4 vite qoftë në Prrenjas, qoftë në Cërrik janë bërë abuzime të paimagjinueshme dhe që sot janë subjekt i hetimit të Prokurorisë Speciale anti-korrupsion. Të vish në 2021 t’i paraqesësh, edhe PD, edhe LSI, një listë që s’ka asnjë lloj lidhje me Elbasanin jo e jo, po as me gjithë qarkun.”, tha ai.
Balla zbuloi se ai ka propozuar që të kandidojë i 9-ti në listën e PS, për qarkun e Elbasanit pasi shprehet i sigurt se PS do marrë 9 mandate.
“Detyra e këtij ekipi është jo të arrijmë objektivin minimal. Teksa diskutonim në Kryesinë e PS, unë isha i mendimit të isha i nënti, jo i teti, në listë, sepse jam besimplotë që do marrim mandatin e nëntë, pasi Qarku i Elbasanit nuk mund ta investojë votën e ta cojë dëm në disa figura, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë qark. Por, ka qenë një vendim unanim. Unë jam i sigurt që ne do ta marrim mandatin e nëntë në Elbasan. Nuk e fsheh asnjëherë faktin që gjatë këtyre viteve pune intensive, vlera e investimeve për frymë nuk ka pësuar ndryshim, përkundrazi edhe gjatë vitit 2020 kemi marrë investime tepër të rëndësishme”, u shpreh Balla.