Balla dhe Braçe takim në Krutje: Aleanca jonë është vetëm me qytetarët
Në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla dhe deputeti Erion Braçe zhvilluan një takim me banorë të njësisë administrative Krutje në Lushnjë.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se “nëse investojmë në sport si duhet, ne largojmë rininë nga veset, ndaj ka ardhur koha të fokusohemi në investime sportive, sidomos në zonat ku sportet kanë histori”.
“Kërkojmë votëbesimin tuaj për Eriseldën në 6 mars në Krutje dhe në të gjithë Lushnjën për një vajzë të kësaj zone, e cila të ketë mundësinë që të vijojmë punët e rëndësishme që ne kemi për të bërë. Duam të prekim çdo pjesë të bashkisë Lushnjë me investime të domosdoshme, duam që Edi Rama dhe Eriselda të punojnë së bashku”, tha Balla.
Një falënderim Balla bëri për çdo bujk të zonës së Krutjes për punën e madhe që kanë bërë, të cilët përballuan më së miri pandeminë duke siguruar për popullsinë e Shqipërisë produktet me të mira në kohën kur çdo gjë u mbyll.
“Problematikat e fermerëve të kësaj zone janë të shumta por ne duam të vazhdojmë të kontribuajmë më tepër në këtë drejtim duke vënë në punë edhe bashkinë”, tha Balla.
“Çështjet e rëndësisë kombëtare ne nuk kemi me kë t’i diskutojmë në Parlament, pasi nuk kemi opozitë dhe aleanca jonë është vetëm me qytetarët. Ndaj me Këshillimin Kombëtar Edi Rama do të punojë më tepër me popullin e tij”, vijoi ai.
“Shumë njerëz e shohin politikën me përbuzje, por jo të gjithë politikanët duhen përbuzur. Sali Berisha duhet përbuzur, por Eriselda Sefa është një vajzë prej jush, e cila po hyn në politikë, sepse do t’i shërbejë njerëzve të vet”, tha Balla.
“Kandidati i Saliut dhe Ilirit duhet të jetë në një thes me ta, ndërsa kandidati i Lulit është në gjumë njësoj si Luli, ndaj Eriselda njeh çdo hall dhe punë të bashkisë Lushnjë dhe ka fituar respektin ndaj çdo donator të huaj duke punuar mbi projektet të shumta në këtë bashki”, përfundoi Balla.