Balla: Çdo denoncim i qytetarëve duhet trajtuar me angazhim maksimal nga policia



Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha sot se policia duhet të forcojë bashkëpunimin me qytetarin, pasi vetëm kështu rrit besimin e tij tel forcat e rendit.
Në një reagim në rrjetet sociale, duke ju referuar rastit në Fier, ku një 23-vjeçar u ndalua pasi me mjetin e tij hyri në zonën e plazhit, Balla nënvizon se çdo denoncim duhet trajtuar me angazhim maksimal.
“Denoncimet apo ankesat e qytetarëve, në çdo formë, janë gjithmonë të mirëpritura. Policia e Shtetit duhet ta forcojë bashkëpunimin me qytetarët, t’i trajtojë me kujdes ankesat e tyre, sepse vetëm kështu rritet besimi i tyre tek policia. Rasti i denoncimit nga një pushues i një mjeti që kishte hyrë në një plazh me pushues, çoi në identifikimin e shkelësit dhe ndëshkimin e tij sipas parashikimeve maksimale të Kodit Rrugor”, thekson Balla.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier njoftoi më herët se, në lidhje me dy foto të publikuara në portalin “JOQ”, për një automjet i cili ishte futur në një zonë me pushues, në bregdetin e plazhit të Darëzezës, Fier, u shoqërua drejtuesi i mjetit, Sh. M., 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj, si dhe automjetin tip “Porsche”.
Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këtë rast nga punonjësit e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier, u mor masa administrative prej 30.000 lekë të rinj, për shkeljet “Rregullimi i qarkullimit në qendrat e banuara”, neni 7/12, dhe “Sistemet e pajimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre”, neni 72/12 të K. Rrugor. Gjithashtu masë plotësuese “Pezullimi i lejes së drejtimit”, për shtetasin Sh. M..
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

