Balla bashkëbisedim me studentët në Kalanë e Prezës: Integrimi në BE kërkon reforma, përfshirje qytetare dhe përgjegjësi historike
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Europian të Tiranës në Kalanë e Prezës, ku në fokus ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rruga e vendit drejt përmbylljes së negociatave.
Gjatë diskutimit me studentët, Balla u ndal te ecuria e reformave, plotësimi i kushteve të vendosura në kuadër të procesit të integrimit dhe rëndësia e angazhimit qytetar në këtë etapë të rëndësishme për vendin.
Sipas tij, objektivi për mbylljen e negociatave mbështetet në progresin e deritanishëm të Shqipërisë dhe në ritmin e avancimit të procesit të negociatave me Bashkimin Europian.
Në bashkëbisedim u theksua gjithashtu roli i të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe rëndësia e informimit të brezit të ri mbi sfidat dhe mundësitë që sjell integrimi europian.
Balla e cilësoi procesin e anëtarësimit si një projekt me rëndësi historike për Shqipërinë, duke nënvizuar se përmbushja e reformave dhe ruajtja e mbështetjes qytetare mbeten elementë kyç në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.













