×
Friday, April 12, 2024

Balla: Angazhim institucional dhe financiar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore

February 27, 2024


Qeveria shqiptare mbetet e gatshme dhe do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, për të përballur fenomenin e trafikimit të personave. Ministria e Brendshme, aktualisht kryeson fushatën antitrafik, duke bërë bashkë aktorët në aktivitete sensibilizuese për të nxjerrë në pah dimensionin njerëzor dhe edukues. Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha, gjatë një tryeze konsultative për Planin e Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Personave 2024-2025, se mbetet kundër fushatave që mbahen në ditë të caktuara kundër trafikimit, kur bie fjala për qasjen kundër dhunës.

“Jam i parimit që kjo duhet të jetë çdo ditë të vitit pa asnjë ndërprerje, dhe prandaj draft Plani Kombëtar për Luftën Kundër Trafikimit të Personave, i cili do të diskutohet sot është edhe një shprehje e angazhimit politik institucional dhe pa dyshim dhe pa asnjë ekuivok edhe angazhim financiar që ne duhet të ndërmarrim në luftën kundër trafikimit”, deklaroi ministri, në takimin ku ishin pjesëmarrës përfaqësues të OSBE, ambasadës së SHBA dhe asaj britanike në Tiranë.

Gjatë prezantimit të objektivave të Strategjinë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar, Balla nënvizoi uljen e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, nëpërmjet goditjes së trafiqeve të paligjshme; së dyti mbrojtjen e qytetarëve, të institucioneve dhe ekonomisë së vendit, në rritjen e forcës parandaluese ndaj kërcënimeve të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme rajonale dhe ndërkombëtare.

“Fatkeqësisht trafikimi i personave është një krim i ditëve moderne, që nuk njeh kufij, moshë apo gjini dhe prek në të shumtën e rasteve me të pambrojturit duke shfrytëzuar shpresat dhe ëndrrat për t’i kthyer në viktima të mizorisë së paimagjinueshme. Ky krim minon vetë parimet e njerëzimit, duke u grabitur individëve dinjitetin dhe lirinë e tyre”, nënvizoi ministri.

Ndaj tha ai, duhet që institucionet publike në nivel qendror dhe vendor, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile, organet e drejtësisë, akademia dhe çdo qytetar të bashkëpunojë në një front për t’iu përgjigjur në kohë çdo viktime trafikimi.

“T’u ofrojmë viktimave të trafikimit shërbimet e nevojshme, mbështetjen, mbrojtjen, ri-integrimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha për të ri-kthyer dinjitetin e marrë peng, duke u investuar në hetimin proaktiv dhe dënimin e trafikanteve. Parandalimi dhe ndërgjegjësimi po ashtu janë elementë të cilët duhet të ecin në sinkron në aksionin e përbashkët”, nënvizoi kreu i MB-së.



Comments are closed.