×
Wednesday, January 19, 2022

Balla: 29 Nëntori, datë e shënuar në historinë e kombit

November 29, 2021

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi sot Ditën e Çlirimit të vendit, ndërsa u shpreh se “29 Nëntori e ka fituar betejën me të gjitha përpjekjet për t’ia zvogëluar peshën”.

Në një prononcim për mediet, pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve në Fier, Balla tha se “29 Nëntori është një datë e shënuar në historinë e kombit tonë, sepse jo vetëm që ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore për shqiptarët, por edhe pse jemi kombi i vetëm ndoshta në Europë që çliruam Shqipërinë nga pushtuesi nazifashist vetëm me forcat partizane”.

“Një luftë idealesh, por edhe një luftë mes një force pushtuese të mirëorganizuar siç ishte ushtria gjermane apo italiane, dhe ndërkohë nga ana tjetër një force çliruese, siç ishin partizanët shqiptarë që e renditën Shqipërinë në krahun e forcave fituese të Luftës së Dytë Botërore”, tha Balla.

Në këtë kontekst, Balla theksoi se “edhe pse në këto 30 vite ka pasur një përpjekje të vazhdueshme nga historianë apo kalemxhinj, apo edhe nga politikanë të caktuar, të cilët edhe dje dëshmuan se nuk heqin dorë nga përpjekja për të zvogëluar madhështinë e 29 Nëntorit, 29 Nëntori e ka fituar betejën e vet”.

“Ne duhet të vazhdojmë të përulemi përpara gjakut të dëshmorëve, të përulemi kur kujtojmë luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e cila ishte një luftë e pastër, idealesh dhe mbi të gjitha një luftë Çlirimtare. Partizanët meritojnë respekt sot pas 77 viteve, më shumë se kurrë, sepse në çdo moment nuk ka munguar përpjekja për t’ia ulur vlerën dhe për të hedhur baltë mbi luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nuk duhet kurrsesi të ndërthuret apo analizohet Lufta Antifashiste në kontekstin që pasoi pas vitit 1945. Sepse ajo që vijoi pas vitit 1945 natyrshëm ishte një diktaturë, që ka marrë ndëshkimin e vet në aspektin historik, por deri më 29 Nëntor 1944 bëhej fjalë për një luftë Çlirimtare”, tha Balla.

Balla iu përgjigj edhe interesimit të medies mbi mesazhin e një deputeti të PS-së, i cili përdori figurën e Enver Hoxhës.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e Kodit të Sjelljes dhe Etikës brenda grupit parlamentar të PS-së dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të bëhen verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS-së, më së shumti Kuvendi i Shqipërisë ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, shtoi ai.

Eunews.al

Comments are closed.