Baerbock: Vendet baltike kanë nevojë për siguri



Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë për sigurisë e vendeve të Baltikut, nën dritën e luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.
”Siguria e secilit prej nesh është siguria e të gjithëve ne, gjithashtu këtu në rajonin e detit Baltik”, tha Baerbock në fillim të takimit të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik (CBSS).
Ministrat e Jashtëm nga vendet e detit Baltik u takuan në qytetin historik të Vismarit, në bregun baltik të Gjermanisë.
Baerbock tha se lufta në Ukrainë ishte gjithashtu një pikë kthese për rajonin dhe këshillin në veçanti.
Anëtarësimi i Rusisë në CBSS u pezullua në fillim të marsit 2022.
Moska më pas deklaroi tërheqjen e saj në maj 2022.
Deri në pushtimin e Ukrainës, Këshilli Baltik ishte një nga qarqet diplomatike në të cilat ishte i mundur bashkëpunimi konkret për çështje teknike me Moskën.
Ministrja gjermane e Strehimit, Klara Geywitz theksoi efektet e drejtpërdrejta të luftës si për infrastrukturën kritike ashtu edhe për situatën e refugjatëve në qytete dhe komuna.
Geywitz tha se nevojitej një kthesë e përshpejtuar e energjisë për ta bërë rajonin të pavarur nga lëndët djegëse fosile.
Këshilli i Shteteve të Detit Baltik u themelua në vitin 1992 dhe ka selinë e tij në Stokholm.
Ai përbëhet nga Gjermania, Norvegjia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Lituania, Letonia, Polonia, Suedia, Islanda dhe Bashkimi Evropian.
Gjermania mban presidencën e CBSS deri në korrik.
