Athina do të ‘respektojë’ vendimin e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO
Greqia do të respektojë vendimin e mundshëm të Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, tha të enjten kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një takim me homologen e tij finlandeze Sanna Marin në Athinë.
“Dëshiroj të ritheksoj se i takon popullit finlandez, dhe vetëm popullit finlandez, të bëjë një zgjedhje kaq të rëndësishme. Për sa më përket mua, Greqia do të respektojë vendimin sovran të popullit finlandez, duke pasur parasysh bashkëpunimin tonë të ngushtë brenda BE-së dhe sigurisht partneritetin tashmë të kahershëm mes Finlandës dhe Aleancës”, tha Kryeministri grek.
Marin theksoi se një vendim për anëtarësimin në NATO do të merret “së shpejti” duke pasur si objektiv paqen e përhershme të Finlandës tani dhe në të ardhmen.
“Finlanda ka krijuar një mbrojtje kombëtare të besueshme dhe – si Greqia – ne mbajmë një ushtri të fortë dhe moderne […] Ky është mesazhi ynë për partnerët tanë të NATO-s: Nëse Finlanda bashkohet me NATO-n, ne do të kontribuojmë në sigurinë e të gjithë aleancës,” Marin tha.
Më herët këtë javë, ministri i jashtëm finlandez Pekka Haavisto i tha The Irish Times se Finlanda mund të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n edhe pa Suedinë.
“Aktualisht, mendoj se disponimi në parlament, nëse shikoni shumicën e deputetëve që mbështesin vendimin, është se po, ai përfshin mundësinë për të shkuar pa Suedinë,” tha Haavisto.
“Do të ishte mirë të bëjmë të njëjtat gjëra në të njëjtën kohë me Suedinë, por kjo varet nga vendimet suedeze. Është shumë herët për të marrë me mend datën, por mendoj se para verës, ne po vazhdojmë.”
Në një konferencë për shtyp me Mitsotakis, udhëheqësi finlandez mbështeti gjithashtu sanksione më të rrepta kundër Moskës, duke synuar importet e energjisë.
“Është thelbësore për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër, për të rritur burimet e rinovueshme të energjisë – diçka që duhet të bëjmë në çdo rast për të trajtuar ndryshimet klimatike […] Tani kemi nevojë për investime masive si në prodhimin e energjisë së pastër ashtu edhe në ndërlidhjet e energjisë evropiane,” përfundoi ajo.