AstraZeneca furnizon në BE më pak vaksina se plani
Një përfaqësues i nivelit të lartë të BE-së pak pas kësaj deklarate i dha të dhëna më precize agjencisë së lajmeve Reuters. Sipas tij numri i ampulave në tremujorin e parë të vitit do të jetë rreth 31 milion, afërsisht 60 përqind më pak nga sa ishte planifikuar. Për tremujorin e dytë AstraZeneca nuk ka përmendur ndonjë shifër për numrin e ampulave. Ka qenë e planifikuar, që Astra Zeneca në tremujorin e parë dhe të dytë të furnizonte rreth 80 milionë ampula vaksine në të 27 vendet anëtare të BE-së. Koncerni e argumentoi këtë me vështirësitë e prodhimit në BE në fabrikën e vet, partneren Novasep të AstraZeneca në Belgjikë.
Komisioni i BE-së i pak£ënaqur
Sipas të dhënave të Komisares së BE-së për Shëndetësinë, Stella Kyriakides sipërmarrja ka njoftuar për vështirësi furnizimi të premten (22.01) në komisionin drejtues për strategjinë e vaksinimit në BE. Komisioni i BE-së dhe vendet anëtare janë shprehur thellësisht të pakënaqur, që në tremujorin e parë do të furnizohen më pak vaksina nga planifikimi, tha Kyriakides. Eshtë insistuar, që të ketë një plan të saktë furnizimi, mbi bazën e të cilit vendet anëtare të mund të planifikojnë programet e tyre të vaksinimit. Komisioni i BE-së sërish do të insistojë për më shumë garanci furnizimesh dhe për një shpërndarje të përshpejtuar të ampulave.
Fillimisht njoftoi gazeta „Bild” për pakësimin e sasisë së furnizimeve. Sipas kësaj gazete, arsyeja ka pasur të bëjë me përshtatjen e vaksinës ndaj mutacioneve të virusit të konstauara në disa vende. Po ashtu pasojat ndaj prodhimit pas një zjarri në një fabrikë në Indi janë ende të paqarta.
Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn nuk dekurajohet nga njoftimi i koncernit për pakësimin e furnizimeve. Ai u shpreh me besim, që qysh në shkurt do të mund të nisin vaksinimet në sasi masive me produktin e AstraZeneca. Kjo do të realizohet në nivel të gjerë, duke bërë që “të ndihet dallimi qysh në shkurt” krahasuar me stadin aktual pa AtsraZeneca.
Estonia, Letonia dhe Lituania ndërkohë u bashkuan me kërkesën e disa vendeve të tjera të BE-së për një shpërndarje të parakohshme të vaksinës së prodhuesit AstraZeneca në BE. Kryeministrat e këtyre vendeve apeluan ndaj Komisionit të BE-së, që furnizimet e vaksinës të miratohen dhe të sigurohen përpara licencimit të saj zyrtarisht. Vendet Baltike iu bashkuan kërkesës së Austrisë, Çekisë, Danimarkës dhe Greqisë. „Saktësia e procesit është e rëndësishme. Por edhe shpejtësia. Vonesat kushtojnë jetë”, shkruajnë Jüri Ratas (Estoni), Krisjanis Karins (Letoni) dhe Ingrida Simonyte (Lituani) në Twitter.
Rritet indinjata ndaj Pfizer
Edhe nga furnizuesi tjetër i vaksinës ndaj koronavirusit ka vonesa. Në disa vende të BE-së po shtohet pakënaqësia ndaj vonesave të furnizimit me vaksina nga koncerni i SHBA-së, Pfizer. Një zëdhënës i Komisionit të BE-së tha: “Ne do t’i kërkojmë sipërmarrjes sqarim.” Kritika ndaj partnerit të koncernit në Mainc BioNTech vjen kryesisht nga Italia dhe Çekia. Italia e kërcënon Pfizer madje me hapa juridikë. Prodhuesi nga SHBA, Pfizer, javën e kaluar njoftoi, se do t’i pakësojë furnizimet e veta për tri deri në katër javë. Arsyeja ka të bëjë me rikonstruktimin e fabrikës Pfizer në Puurs të Belgjikës.
Marrëveshja për vaksinën me BE-në është konfidenciale. Secili vend anëtar negocion me Pfizer marrëveshjet e veta të furnizimit. Eshtë e paqartë, nëse koncerni ka detyrim të verë në dispozicion sasi të caktuara mbi bazë javore apo tremujore. Vaksina e AstraZeneca ndryshe nga produktet e firmave konkurrente Pfizer dhe BioNTech si dhe Moderna është e qendrueshme edhe në temperatura më të larta e kësisoj ajo mund të injektohet edhe prej mjekëve të familjes. AstraZeneca aplikoi javën e kaluar për licencimin në BE, ndërkohë që në shumë shtete të tjera kjo vaksinë tashmë ka nisur të përdoret. Në BE deri tani janë licencuar vetëm vaksinat Pfizer/Biontech dhe Moderna. Më 29 janar Autoriteti i BE-së për Produktet Mjekësore (EMA) mund të japë dritën e gjelbër edhe për vaksinën AstraZeneca.
Eunews.al