×
Thursday, October 6, 2022

“Arrestimi i gjyqtares dhe vendimi i Strasburgut, moment historik”/Sistemi i drejtësisë ka nisur të funksionojë

February 13, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “arrestimi i gjyqtares në Krujë dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut, përbejnë një moment historik të kalimi të një fazë tjetër në drejtësinë shqiptare”.

Rama tha se “në Shqipëri dhe në shoqërinë tonë dhe në funksion të së ardhmes tonë,  javës që po lamë pas ka ndodhur diçka historike. Ka ndodhur diçka historike dhe ka kaluar pa u vënë re ose është parë si një ngjarje njësoj si të tjerat. Arrestimi i gjykatëses në Krujë dhe i të gjithë rrjetit të saj dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgu për të refuzuar kërkesën e një subjekti të goditur nga vetingu duke e konsideruar goditjen nga vetingu, një goditje legjitime, përbëjnë një moment historik të kalimit në një fazë tjetër në drejtësinë shqiptare”, theksoi ai.

Rama shtoi se “e them këtë sepse shumë njerëz, unë nuk i keqkuptoj, përkundrazi, po qe puna për padurim, frustrim dhe pakënaqësi nga sistemi i drejtësisë, unë jam i pari  sepse për shkak të detyrës, marr shumë lajmë të këqija nga sistemi i drejtësisë. Njerëzit i marrin lajme nga televizori, kur një padrejtësi bëhet nga gjykatës ose kur u ndodh në kurriz, ndërsa për shkak të detyrës, më duhet të marr shumë më tepër nga këto lajme të këqija nga drejtësia dhe realisht e mirëkuptojë çdo kënd që thotë, “na mërziti, drejtësi, vetingu, pse s’futen në burg”. Këto janë broçkulla, por i mirëkuptoj se vijnë nga një akumulim i gjatë, por ama fakti është që një gjykatëse, një mostër, që e përdori në mënyrë spektakolare forcën e papërgjegjshmërisë dhe të abuzimit disa kohë më parë dhe u habit gjithë dynjaja me vendimet e saj për të liruar njerëz që ishin me burgime të përjetshme dhe për t’i nxjerrë në rrugë të lirë, është sot në burg bashkë me rrjetin e saj”.

Rama tha se  “ky përbën shembullin që si sistemi do të funksionojë dhe duhet shumë durim”.

“Ngritja e institucioneve të reja, krijimi i SPAK-ut, vënia në funksion, fillimi i proceseve hetimore, hulumtimi i domosdoshëm, mbledhja e provave janë një proces i vështirë, kërkojnë kohën e vet, por ama a më tregoni se kujt ia rrokte mendja para 7 vitesh që llumi në sistemin e drejtësisë do të hynte në proces pastrimi. Dhe sigurisht që ne premtuam në 2013-tën që ne do të bëjmë drejtësi, por si do bëjmë drejtësinë si në ’44 apo ’45, do ta bëjë unë me urdhër apo do bëhet, qeveria prokurori apo do të bëhet parlamenti gjykatë. Jo, jo. Ne do të bëjmë atë që nuk u bë qysh nga viti ’91 sepse po të ishin bërë këto gjëra në ’91-shin, 9’5-ën, ’98-tën e në 2005, 2008 e në 2010, sot do ishim më përpara, por ne na është dashur fillonim gjërat nga e para. Të bëjmë reformën në drejtësi, ta kalojmë reformën në drejtësi, të fillojë vetingu, të bëhet pastrimi i sistemit, sistemi i pastruar të fillojë të funksionojë dhe kjo është shenjë e sigurt që sistemi ka filluar të funksionojë”.

“Bashkë me atë gjykatësen u arrestua një mjek, shef pavijoni që iu gjetën në shtëpi paratë e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin se kjo do rris besimin e njerëzve të denoncojnë. Faktikisht në rastin e mjekut ka pasur një denoncim të cilin e ka përcjell Drejtori i Spitalit në sistem dhe kështu gjerat fillojnë dhe vijnë bashkë hap pas hapi, nuk ka shkop magjik dhe formula magjike dhe asnjë mundësi që gjerat të bëhen pa kohën e duhur, pa ambicie, pa forcë lidershipi dhe mbi të gjitha pa vetëdijen që nuk bëhet dot ajo që s’është bërë me vite e vite duke përsëritur të njëjtën gjë. Sa herë të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të tjetër, do kesh po atë rezultat”, – tha Rama.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments