×
Tuesday, December 6, 2022

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Balla: 22 delegacione inkurajuan përfshirjen në axhendë

October 5, 2022

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste reagoi sot pas lajmeve të publikuara në media lidhur me kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“’Informacioni është pushtet. Dezinformimi është shpërdorim i pushtetit’, thoshte Newton Lee. Lajmi i shpërndarë nga media serbe dhe i riprodhuar pa asnjë verifikim nga media të Shqipërisë ose Kosovës, është një tjetër përpjekje nga ana e Serbisë për të shkaktuar skup mediatik me të pavërteta që jo vetëm nuk ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe shkojnë në të kundërt të të gjitha përpjekjeve që po bëhen për të konsoliduar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Balla në një postim në rrjetet sociale.

“Pikësëpari, çështja e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë në agjendë, ndaj nuk ka si të dalë jashtë axhendës një çështje që nuk është në të. Duke qenë një çështje e ndjeshme, Byroja e Komitetit të Ministrave dhe Kryesia Irlandeze që nga momenti i paraqitjes së kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim ka kryer një sërë konsultimesh dhe më konkretisht ka kërkuar dhe ka marrë një opinion nga zyra ligjore e Këshillit të Evropës, e cila nuk ka nxjerrë asnjë pengesë proceduriale për anëtarësimin e Kosovës; ka zhvilluar një shkëmbim mendimi me Përfaqësuesin Special të BE për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe së fundmi në datë 5 kishte vendosur që të kërkonte një shkëmbim mendimesh në Komitetin e Ministrave me vendet anëtare, për të marrë më pas një vendim se kur mund të vendoset në axhendë kjo kërkesë”, tha Balla.

“Pikërisht kjo gjë ka ndodhur sot në Komitetin e Ministrave, ku 22 delegacione të shteteve që kanë njohur Kosovën kanë marrë fjalën dhe kanë inkurajuar Presidencën Irlandeze dhe Byronë e Komitetit të Ministrave që të marrin masa për ta vendosur në axhendë kërkesën e Kosovës në një nga mbledhjet e ardhshme”, nënvizoi Balla.

“Duke qenë se në datat 10-14 tetor do të zhvillojë punimet edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kur për herë të parë delegacionit të Kosovës i është dhënë e drejta e fjalës, pra do të ketë mundësi të flasë në këtë platformë të rëndësishme të Këshillit të Evropës. Për më tepër në këtë sesion pritet të diskutohet edhe një raport për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor të përgatitur nga reporteri George Papandreou, ndaj është vlerësuar se të gjitha sa më sipër po krijojnë masën kritike që Komiteti i Ministrave në rang ambasadorësh të marrë masa për ta vendosur në agjendë dhe trajtuar këtë çështje së shpejti”, u shpreh Balla.

“Sa më sipër del qartë se pretendimet e palës serbe nuk qëndrojnë, pasi në asnjë moment nuk ka ndodhur që çështja e Kosovës të jetë në axhendë dhe të hiqet. Përkundrazi, mbledhja e sotme dhe fryma pozitive e shprehur aty tregon qartë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një hap që do t’i shërbejë konsolidimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor në Kosovë dhe nuk duhet të politizohet. Këshilli i Evropës është një organizatë që vendos standarde dhe nuk identifikon shtete apo kufij”, theksoi Balla.

/j.p/r



Comments are closed.