×
Saturday, October 1, 2022

Ambasadori Zingraf: Gjermania qëndron në krah të Shqipërisë në kohëra të vështira

February 10, 2021

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf deklaroi sot se Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë.

Deklarata e ambasadorit gjerman u bë gjatë një takimi të zhvilluar për të prezantuar gjetjet e një anketimi të sipërmarrjeve anëtare të të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien – DIHA)   DIHA-s, të zhvilluar në nëntor të vitit 2020.

Referuar anketimit, një ndër gjetjet ishte edhe një klimë e trazuar ekonomike e ndikuar nga pandemia e COVID-19 gjatë vitit të shkuar dhe pritshmëri të stepura për vitin e ardhshëm tatimor.

“Ambasadori Peter Zingraf theksoi, që Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë.

Por ai solli në vëmendje faktin, që përgjegjëse për këto pritshmëri të mbytura nuk është vetëm pandemia.

“Edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar. Sipërmarrje gjermane dhe të huaja vazhdojnë të shprehin tepër shpesh skepticizmin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord. Megjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian. Në këtë rrugë Shqipëria mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e Gjermanisë”, shprehet ambasadori Gjerman.

20% e biznesit gjerman në anketën e zhvilluar kërkon të mos mbyllet sërish ekonomia, një masë kjo e marrë përgjatë gjysmës së parë të vitit 2020 për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndër të tjera biznesi kërkoi rishikim të taksave apo akses më të lehtë për të përfituar në garancitë sovrane të lëshuara nga qeveria.

Gjetjet e anketimit të sipërmarrjeve anëtare të DIHA-s, u prezantuan sot gjatë një aktiviteti virtual, në praninë e presidentes së DIHA-s, Stephanie Sieg, ministres së Financave dhe të Ekonomisë, Anila Denaj, ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi si dhe organizatave anëtare të DIHA-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments