×
Saturday, July 31, 2021

Ambasadori italian: BE duhet të japë një sinjal të fortë, të hapë negociatat me Shqipërinë

July 2, 2021

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabricio Bucci, deklaroi sot se, BE duhet të japë një sinjal të fortë dhe të hapë negociatat me Shqipërinë.

Në një prononcim për mediet nga Shkodra, ambasadori Bucci theksoi faktin se Italia ka qenë dhe do të jetë pranë Shqipërisë, ndërsa shtoi se besimi i Italisë është që brenda këtij viti do të çelen negociatat.

“Për ne si Itali ishte një zhgënjim fakti që nuk mundëm edhe njëherë tjetër të hapim negociatat. Italia ka qenë përherë pranë Shqipërisë, që nga fillimi. Kemi mbështetur hyrjen e vendit tuaj në unionin europian”, tha Bucci.

“Besoj se jemi gati dhe nuk duhet të dorëzohemi, sepse nuk është më një çështje nëse Shqipëria do të hyjë, por kur do të hyjë, kjo është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh ai.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë, sepse besimi ynë është që brenda këtij viti do të çelen negociatat. Shqipëria i ka bërë detyrat që i kemi lënë vitet e kaluara. Është një problem dhe detyrë e unionit europian, jo më e Shqipërisë”, tha ambasadori italian.

Nëse duhet të ketë një ndarje në këtë proces të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, Bucci tha se, “besoj se gjëja më e rëndësishme është të ecet përpara e të hapen negociatat me Shqipërinë. Ky është prioriteti ynë. Nuk mundemi çdo herë të presim që të zgjidhen probleme, sepse do të ketë gjithmonë të tilla. Duhet të ecim përpara, nuk ka më vend për shfajësime. BE duhet të japë një sinjal të fortë. Duhet të hapim negociatat me Shqipërinë”.

I pyetur se pse mendon se Shqipëria ka marrë sërish një jo nga BE, Bucci tha se, “sepse në vitet e fundit, kërkesat e dy vendeve për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe MV kanë shkuar bashkë. Është diçka e lidhur me procedurat që janë komplekse, e që paraprijnë çeljen e negociatave. Procedurat janë të rëndësishme, por vullneti politik është më i rëndësishëm dhe është koha që BE të japë një sinjal të fortë për këto vende, e në mënyrë të veçantë për Shqipërinë”.

Ndërsa sa i përket ecurisë së Reformës në Drejtësi Bucci tha se, “reforma në drejtësi është si një kantier, kantier i hapur. Po punojmë të gjithë. Është një reformë e rëndësishme, e thellë që kërkon kohë si reformë. Ne si Itali jemi pranë Shqipërisë në këtë sfidë të reformës. Mbështesim qeverinë me ekspertët, kemi magjistratët italianë këtu, kontribuojmë financiarisht dhe bashkëpunojmë me BE dhe SHBA”.

“Është një reformë thelbësore, pasi pa një drejtësi të fortë e që funksionon do të jetë e vështirë të luftojmë krimin e organizuar, trafikun, korrupsionin. Duhet të kemi të gjitha instrumentet për të luftuar krimin e organizuar. Prandaj ne mbështesim përpjekjet e qeverisë dhe të gjithëve, sepse në krahasim me vitet e mëparshme, apo kur nisi reforma në 2016, janë bërë hapa të rëndësishëm, por nuk mjaftojnë, duhet vazhduar”, tha Bucci.

Eunews.al

Comments are closed.