×
Wednesday, December 11, 2024

Ambasadori i OSBE-së, Del Monaco: Ndryshimet e legjislacionit zgjedhor, risi të rëndësishme

January 22, 2021


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) është partnerja kryesore e Shqipërisë në procesin zgjedhor që do të kulmojë me zgjedhjet politike të 25 prillit.

Këtë e pohon në një intervistë për “Agenzia Nova” ambasadori i OSBE-së në Tiranë, italiani Vincenzo Del Monaco, i cili e mori detyrën në tetor 2020, në fund të Kryesisë shqiptare të Radhës të organizatës ndërkombëtare me qendër në Vjenë.

“Përparësitë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri janë ato të Kryesisë së tanishme suedeze të OSBE-së, të zbritura në rrafshin vendor dhe, për zbatimin e tyre, mund të mbështetemi te suksesi i Kryesisë shqiptare që sapo u mbyll”, thotë ambasadori, duke theksuar rëndësinë e punës së OSBE-së me autoritetet shqiptare, në kuadër të zgjedhjeve të rëndësishme të 25 prillit.

Duke përmendur përparësi të tjera të përfaqësisë së OSBE-së të drejtuar prej tij, Del Monaco sjell në vëmendje edhe “mbështetjen për reformat në fushën e drejtësisë, përqendrimin te barazia gjinore dhe liria e medias”.

“Do të përmendja luftën kundër korrupsionit, me një projekt të mbështetur nga Italia dhe deklaratën e miratuar në Këshillin Ministror të OSBE-së, në Tiranë, 3 dhjetorin e kaluar. Do të shtoja bashkëpunimin e ngushtë që kemi me Kuvendin e Shqipërisë, pa harruar punën për temat më “klasike” të sigurisë, si lufta kundër kërcënimeve transnacionale dhe krimit, me një dimension të fortë rajonal, në sinergji me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë”, tha ai.

Ambasadori Del Monaco i përgjigjet më pas pyetjes për ndryshimet në ligjin zgjedhor, të cilat do të zbatohen gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

“Prezenca e OSBE-së ndihmoi dhe përshëndeti marrëveshjet politike që bënë të mundur ndryshimin e legjislacionit zgjedhor dhe pasqyrimin në të të pjesës më të madhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Risi të rëndësishme këto, që kanë përditësuar kornizën rregulluese të procesit zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thotë Del Monaco.

“Mes risive kryesore do të përmendja ndryshimin e strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, futjen e identifikimit biometrik të zgjedhësve, pilotimin e votimit elektronik në disa pjesë të vendit, mundësinë e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, përmirësimin e mekanizmave për barazinë gjinore, disiplinimin e financimeve private të fushatës zgjedhore dhe votimin preferencial me lista të hapura”, u shpreh ai.

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Del Monaco tha se, “Gjykata Kushtetuese është që tani në gjendje të ushtrojë funksionet, por shpresojmë se i gjithë kolegji me 9 gjyqtarë të mund të plotësohet sa më shpejt të jetë e mundur, pse jo edhe përpara zgjedhjeve të prillit”.

“Përparësitë e Gjykatës janë ato të treguara në mënyrë të përsëritur nga institucionet shqiptare dhe shoqëria civile, duke filluar me shqyrtimin progresiv të çështjeve në pritje. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me Gjykatën”, shton ai.

Sipas ambasadorit Del Monaco, “është fakt që reforma në drejtësi gëzon një mbështetje të fortë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa kuptohet se secili prej rezultateve të arritura deri më tani nga vendi është fryt i vullnetit dhe vendosmërisë shqiptare. Reformat, për shkak të kompleksitetit, shtrirjes dhe besueshmërisë së tyre, nuk mund të mos marrin kohë. Merrni, për shembull, procesin përmes të cilit përzgjidhen gjyqtarët, të ashtuquajturin ‘vetting’”, vëren diplomati, ndërsa i përgjigjet pyetjes në lidhje me perspektivat e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE.

“Prezenca është këtu për të ndjekur angazhimet në kuadër të OSBE-së dhe për të mbështetur përparësitë shqiptare. Delegacioni i BE-së në Tiranë është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, në fusha përparësie të interesit të përbashkët, për të cilat kemi vendosur një bashkëpunim të frytshëm dhe të hapur, sipas mandateve përkatëse. Perspektiva e negociatave me BE-në është një ekuacion që, padyshim, përbëhet nga një mori faktorësh, ndër të cilët përparimi i dukshëm i reformave gjyqësore është thelbësor. Përmenda funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, por mund të përmend prokurorinë e posaçme të porsakrijuar për luftën kundër korrupsionit (SPAK) e të tjera”

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments