×
Monday, April 29, 2024

Ambasadori i BE: Shqipëria, potencial për kryesim në procesin e anëtarësimit,

April 12, 2024


Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato shikon potencial të madh që vendi ynë të kthehet, siç thotë ai, në një nga pararendëset e procesit të anëtarësimit.

Besoj se kjo është demonstruar gjatë procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, një proces ku BE-ja dhe Shqipëria së bashku shikojnë jo vetëm legjislacionin, por gjithë mjedisin rregullator në Shqipëri të krahasuar me standardet e BE-së dhe shohin se ku ka nevojë Shqipëria të bëjë progres për t’i arritur këto standard, tha ambasadori për DW.
“Gjatë këtij procesi, Shqipëria ka treguar vërtet kapacitet të konsiderueshëm administrativ, e ka kryer procesin me shumë seriozitet, duke përfshirë gjithë palët e nevojshme të interesit, me një përqasje e të gjithë qeverisë dhe shtetit. Pra, hapi i parë ka qenë shumë pozitiv dhe ka lënë një përshtypje shumë pozitive në Bruksel”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.

Gonzato flet me tonë optimiste për një momentum pozitiv edhe nga ana e BE-së. Mendoj se numri i samiteve të zhvilluara, por edhe nëse shikoni miratimin apo procedurat që çuan në miratimin e mekanizmit të rritjes dhe reformave, tregon se Shtetet Anëtare janë gati ta mbajnë premtimin e tyre kundrejt vendeve kandidate dhe Shqipërisë gjithashtu, shprehet ai. Gjatë bisedës, u diskutua dhe për SPAK-un, të cilin diplomati i lartë e përshkroi si një element të rëndësishëm të reformës në drejtësi, teksa dha opinionin e tij për punën e bërë deri tani nga struktura e posaçme antikorrupsion.

“Nuk dua të vendos shumë përgjegjësi mbi supet e zotit Dumani, pasi është SPAK-u që po jep kontribut për progresin e Shqipërisë në agjendën e anëtarësimit dhe arsyeja pse e them këtë, është se siç e dini, një nga elementët e rëndësishëm të negociatave është kapitulli i shtetit ligjor, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që është kyç. Mendoj se SPAK-u po jep një kontribut shumë të madh për këtë dhe kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë dhe vendosmërinë e saj për trajtimin e këtyre fenomeneve”, tha ambasadori i BE në Shqipëri.

Gonzato foli edhe për paketën 6 miliardë euroshe të akorduar nga BE-ja për Ballkanin perëndimor. Nuk ka një shifër të saktë sesa do të përfitojë Shqipëria, megjithatë ka alokime të përafërta, të cilat duhen përpunuar ende, por kjo është risia, thotë ai, teksa shpjegon më tej se këto fonde vijnë me mbikëqyrje, duke kujtuar se BE-ja ka të drejtë të kryejë në çdo kohë kontrolle dhe auditime të sistemeve të një vendi për t’u siguruar që paratë e taksapaguesve europianë përdoren si duhet këtu në Shqipëri.



Comments are closed.