×
Thursday, July 7, 2022

Ambasada e SHBA publikon mesazhin e James Baker: Isha dëshmitar si Shqipëria festoi lirinë

June 22, 2022

Ambasada amerikane në Tiranë publikon mesazhin e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker, i cili ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara, që vizitonte Shqipërinë në pothuajse gjysmë shekulli.

Në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, ambasada amerikane në Tiranë, publikon sot mesazhin e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker.

James Baker ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara i cili vizitonte Shqipërinë në pothuajse gjysëm shekulli dhe dëshmonte festimin e lirisë në vend nën demokracinë e re.

“ “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”! Tridhjetë e një vjet më parë, në 22 qershor 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara i cili vizitonte Shqipërinë në pothuajse gjysëm shekulli dhe dëshmonte festimin e lirisë në vend nën demokracinë e re. Përballë qindra mijëra shqiptarëve në sheshin Skënderbej në Tiranë, ai i siguroi ata, “Liria funksionon”. Në 31 vjetorin e asaj dite dhe në 100 vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ish Sekretari i Shtetit James Baker dërgoi këtë mesazh të veçantë për të gjithë shqiptarët.” – thuhet në postimin e ambasadës amerikane, ndërsa në mesazhine tij Baker kujton vizitën në Tiranë.

Marrëdhëniet e Amerikës me Shqipërinë, në shumë mënyra, është një nga më të fortat që vendi im ka. Ajo marrëdhënie, sigurisht, bazohet në besimin e palëkundur dhe bindjen në idealet demokratike që udhëheqin të dyja vendet tona. Si amerikanët ashtu edhe shqiptarët mbështesin vetëqeverisjen ndaj dorës së fortë të autoritarizmit. Këtë e them me bindje, sepse isha personalisht dëshmitar se si Shqipëria e festoi lirinë më 22 qershor 1991. Atë ditë, unë u bëra zyrtari i parë i lartë amerikan, i cili vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të detyruar të vendit, që filloi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi deri në fund të Luftës së Ftohtë.

“Teksa qëndroja në Tiranë, mbi një skenë të improvizuar prej druri, përpara 300 mijë shqiptarëve, u mallëngjeva se si njerëzit e mbledhur iu përgjigjën fjalëve të mia të thjeshta: “Liria funksionon”. Ata u përgjigjën: “USA, USA, USA”! Që nga ajo kohë, marrëdhëniet midis Amerikës dhe Shqipërisë janë forcuar dhe kanë përparuar. Shqipëria ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për hapjen e ekonomisë së saj dhe për ofruar mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

Ndërsa Amerika ka pasur një aleate të palëkundur në përpjekjet për siguri rajonale dhe globale, sidomos si një anëtare e fortë e NATO-s.
Marrëdhënia jonë është veçanërisht e rëndësishme gjatë kërcënimit të tanishëm kundër Ukrainës. Në 100-vjetorin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dua t’ju uroj për përparimin që Shqipëria ka bërë drejt ndërtimit të një bote më të mirë dhe më të sigurt për veten dhe fqinjët e saj. Mbi të gjitha, dua t’i përgëzoj që janë përkushtuar ndaj besimit se liria vërtet funksionon. Faleminderit.”- shprehet Baker.

Comments are closed.