Ambasada amerikane reagon pas moscertifikimit të Listës Serbe: Veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar pas moscertifikimit të Listës Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtëpamëse dhe përçarëse”- thuhet në reagimin e ambasadës, më 03.12.2025.Kjo ambasadë ka shkruar se të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet t’ju mundësohet shfrytëzimi i të drejtave të tyre demokratike.“Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”- ka shkruar ambasada amerikane.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 02.12.2025 nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.Më 2 vota pro, dy kundër dhe 7 abstenime, KQZ ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.Në fakt, kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti.Njësoj kishte vepruar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e më pas edhe për ato lokale të 12 tetorit.Në të dy rastet, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.Ndërkohë, KQZ ka certifikuar 22 subjekte të tjera për zgjedhjet e 28 dhjetorit.Para votimit u zhvillua një debat mes anëtarëve të KQZ-së lidhur mënyrën e votimit për certifikim.Me marrëveshje certifikimi i partive politike u bë veç e veç për subjekte politike.Sekretariati i KQZ-së rekomandoi certifikimin e 23 subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare.Ndërsa, sipas Sekretariatit të KQZ-së, më 03.12.2025, do të trajtohet kërkesa e Nismës Socialdemokrate për certifikim.







