×
Wednesday, September 16, 2020

Alternativa e vetme të jemi pjesë e BE-së/ Dialogu Greqi-Maqedoni e Veriut, shembull për mosmarrëveshjet në rajon

September 16, 2020

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Athina, Greqi, se “vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë në një moment shumë të rëndësishëm historik midis një të shkuare që duan ta lënë pas krahëve dhe një të ardhme që ende nuk ka ardhur, për të qenë tërësisht të integruar në Bashkimin Europian”.

Në takimin e organizuar nga “THE ECONOMIST”: Ballkani Perëndimor përtej 2020-s, Kryeministri Rama theksoi se “kjo është diçka e dukshme dhe duket sikur ka një lloj mallkimi se kur ne ishim në formë jo të mirë ata nuk uleshin në tryezë, tani që jemi ne në formë të mirë janë ata në në formë të keqe. Ne nuk kemi një alternativë tjetër, e vetmja alternativë është të jemi pjesë e Bashkimit Europian jo sepse na i kërkojnë këtë miqtë më të mëdhenj e të fuqishëm, por sepse kjo është kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm, është ëndrra e përhershme e etërve tanë”.

“Në Ballkanin Perëndimor qysh prej kohësh jemi përfshirë në një bashkëpunim, një paqtim dhe mendoj edhe pse ka çështje të tilla si çështja e Kosovës, mosnjohja nga Serbia ne kemi qenë në gjendje të ulemi dhe të diskutojmë e argumentojmë bashkë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë iu shpreh se “këto janë kohë të veçanta sepse jemi goditur të gjithë nga kjo pandemi dhe sipas parashikimeve të organizatave ndërkombëtare, rajoni jonë do jetë ai më i godituri fort. Megjithatë besoj se ka potencial për të çliruar e për të ecur përpara duke mbyllur hendeqet e së shkuarës”.

Mendoj, vijoi Rama,  se lajmi i mirë është që mosmarrëveshjet mund të zgjidhen së bashku dhe dialogu është i vetmi instrument.

“Mund të përmend një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të kësaj kohe që është zgjidhja që u bë përmes dialogut mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo lidhet me një situatë ku ti sfidon çdo lloj mundësie, shkon kundër tabuve. Gjithashtu në Maqedoninë e Veriut, në raport me shqiptarët se si e promovoi të qenit një lider maqedonas (Zaev) gjuhën shqiptare, për integrimin e  shqiptarëve në të gjithë piramidën e administratës së vendit. Ko është thjesht historike e jashtëzakonshme dhe një mësim për të gjithë”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “në përpjekje duke mos pasur kurajon që të thyejnë tabutë, duket sikur rrezikon karrierën apo ndikimin. Kjo nuk është mënyra që të fitohet vërtetë. Ai (Zaev) fitoi zgjedhjet sërish, por çfarë është më e rëndësishme ai fitoi bazuar mbi bindjen dhe krijoi konsensus rreth kësaj bindjeje , nuk formësoi bindjen për shkak të konsensusit dhe kjo është absolutisht e mrekullueshme. Unë shpresoj që të gjithë ne të kemi mësuar diçka nga kjo, unë me siguri kam mësuar nga kjo dhe e falënderoj për këtë”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për