×
Monday, November 29, 2021

Alarmi i medias serbe: Ja si Shqipëria po përpiqet të anëtarësojë Kosovën në UNESCO përmes vajzës së Kadaresë

October 24, 2021

Besiana Kadare do të jetë sërish ambasadore e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), shkruan mediumi serb, “Kosovo Online“. Ajo ishte shefe e misionit shqiptar në këtë organizatë në vitin 2015, kur Kosova kërkoi të anëtarësohet atje.

Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Ajo ka magjistruar në letërsi moderne dhe krahasuese dhe, mediumi serb shkruan se ajo njihet si person jashtëzakonisht i apasionuar pas Kosovës.

Kadare është aktualisht ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe është në atë detyrë që nga viti 2016. Vitin e kaluar, ajo u zgjodh nënkryetare e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo ishte më parë në UNESCO nga viti 2011 deri në vitin 2016. Ajo ka punuar gjithashtu në Ambasadën e Shqipërisë në Francë në vitin 2008, si dhe me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në vitin 2005.

Nuk është e pazakontë që dikush që tashmë ka qenë ambasadore në UNESCO të kthehet në atë pozicion, prandaj mund të supozohet se një lëvizje e tillë e Tiranës është pjesë e përgatitjeve për ofensivën për pranimin e Kosovës në këtë organizate, transmeton gazeta Drita.

Përkatësisht, gjatë mandatit të saj të parë në UNESCO, Kadare kishte kontakte të mira në Paris, si dhe një ambicie të fortë që Kosova të bëhej pjesë e kësaj organizate të OKB-së. Në fund, Shqipëria më pas paraqiti një kërkesë zyrtare që Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s ta vendoste në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Tani që ka kaluar pesë vjet në selinë e OKB-së, nuk ka dyshim se ajo do të kthehet në UNESCO me një gamë më të gjerë lidhjesh dhe energjish të reja, si dhe me një motiv më të fortë për ta përfunduar punën që dështoi herën e fundit, shkruan KO.

Në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s të vitit 2015, Kosova nuk arriti ta siguronte shumicën e kërkuar prej dy të tretave të shteteve që votuan. Nga 142 vende që votuan, 92 e mbështetën anëtarësimin e Kosovës, por 50 ishin kundër propozimit. Por 29 shtete kishin abstenuar, duke bërë kështu që për një shumicë prej dy të tretash që kërkohen për anëtarësim (95 vota), Kosovës t’i mungonin vetëm tri vota.

Eunews.al

Comments are closed.