×
Sunday, October 24, 2021

Ahmeti: Nga Marrëveshja e Ohrit kanë fituar të gjithë

August 13, 2021

 Kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes të Ohrit deklaroi se pjesa legjislative e saj është përmbushur, por pjesa pragmatike ka akoma.

Maqedonia e Veriut përkujton nesër 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur ndëretnik të vitit 2001 mes dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptar dhe maqedonas.

Ahmeti thekson se Marrëveshja e Ohrit është një ndër dokumentet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, sepse kjo marrëveshje shpëtoi vendin nga një tragjedi të mundshme.

“Marrëveshja e Ohrit shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme, që mund të ndodhnin nga ndarjet, tragjedi të panumërta në humbje njerëzish. Komuniteti ndërkombëtar ishte shumë më i shpejtë dhe ndërhyri mes palëve për të filluar negociatat për një marrëveshje të mundshme paqësore”, shprehet Ahmeti.

Ahmeti foli edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për çka tha se nga kjo marrëveshje kanë fituar të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por shtoi se ka akoma punë për të bërë.

“Marrëveshja e Ohrit është zbatuar, pjesa legjislative është përmbushur, pjesa pragmatike ka akoma. Nuk duhet të jemi mendjemëdhenj që të themi është mbyllur gjithçka, ke akoma dikastere pa përfaqësim të komuniteteve të tjera, përfshirë këtu shqiptarët, turqit, romët e kështu me radhë. Akoma ka paragjykime nga komuniteti maqedonas se po e humbin shtetin e tyre. Nga Marrëveshja e Ohrit kanë fituar të gjithë. Kanë fituar edhe maqedonasit, sepse të fitosh paqe, stabilitet dhe siguri, sigurisht që kjo është një fitore shumë e madhe”, deklaroi Ahmeti.

Nga Marrëveshja e Ohrit, Ahmeti thotë se kanë fituar edhe besimet fetare, si ai evangjelist dhe ai hebraik, besime të të cilave nuk u njiheshin të drejtat e legjitimitetit.

I pyetur rreth motos së jubileut të 20-të të nënshkrimit të marrëveshjes “Përtej Ohrit”, Ahmeti thotë se kjo nënkupton që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE), të ketë standarde të përafërta me vendet e BE-së, por edhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve pavarësisht përkatësisë etnike.

Kreu i BDI-së foli edhe rreth iniciativës “Ballkani i Hapur” ku bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, por nuk janë bashkangjitur Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina. Sipas Ahmetit, kjo temë kërkon trajtim të qetë dhe pa emocione.

“Është një temë shumë e ndjeshme. Është një temë që kërkon trajtim të qetë, pa emocione, pa ngarkesa. Në hapësirat e Ballkanit Perëndimor, kryesisht në territoret e ish-Jugosllavisë, janë bërë luftëra të përgjakshme dhe këto lufta kanë përfunduar para 22 vjetësh. Tash e 22 vjet nuk kemi përplasje të armatosura, kemi marrëveshje që kërkojnë zbatim e materializim dhe ky rajon duhet të pajtohet”, tha Ahmeti.

Eunews.al

Comments are closed.