Abuzimi me të miturit, policia gjermane arreston 11 të dyshuar
Policia gjermane ka arrestuar 11 persona të dyshuar për përfshirje në abuzimin seksual të të paktën tre fëmijëve. I dyshuari kryesor, një 27-vjeçar, emri i të cilit nuk u bë publik për shkak të rregullave të privatësisë, ka dy dënime të mëparshme për shpërndarjen e imazheve që lidhen me abuzimet seksuale të fëmijëve. Sipas prokurorisë viktimat janë djali 10-vjeçar i partnerit të tij, një 5-vjeçar dhe një 12-vjeçar.
“Në urdhrin e arrestit ndaj të akuzuarit 27-vjeçar që daton nga mesi i majit, ai është akuzuar për 15 vepra deri më tani, por unë do të doja të theksoja në mënyrë të qartë se kjo është vetëm maja e ajsbergut”, tha prokurori, Martin Betzenhardt.
Prokurorët gjatë konferencës për media, deklaruan se grupi përdori teknologji të avancuar për të përgjuar komunikimin e abuzuesve. Arrestimi i të dyshuarve ndodhi në qytetin perëndimor të Mynster. Gjykatësit morën vendimin që shtatë nga të dyshuarit, përfshirë teknikun e kompjuterit dhe nënën e tij 45-vjeçare, të mbahen në qelitë e paraburgimit në pritje të hetimit të mëtejshëm.
Eunews.al