Abazoviç pro Open Balkan: Mjet për integrim të shpejtë në BE
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në një intervistë për DW, tha se ai e mbështet nismën e Open Balkan, pasi e sheh si një mjet për tu integruar më shpejt në BE.
“Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok.”
Abazovic sqaroi se nuk e shen Open Balkan, si një proces, kundër konceptit të Procesit të Berlinit.
“Këto janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo çështje. Procesi i Berlinit, CEFTA, “Ballkani i hapur” apo çdo nismë tjetër kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal. Emri është i parëndësishëm. Po çfarë na nevojitet ne? Na duhet më shumë besim, komunikim më i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve dhe qeverive. Na duhen më pak tensione, depolarizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore.”
Kryeministri Abazovic tha se me marrjen e këtij posti, dy prioritetet e qeverisë së tij janë Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik i vendit, ndërsa shtoi se mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin negativ, jo vetëm nga Rusia, është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.