×
Sunday, October 24, 2021

A po e ndryshon Kina modelin e saj të zhvillimit?

September 4, 2021

Nga Eugenio Cau

Javët e fundit, qeveria kineze ka ndërmarrë një seri veprimesh represive kundër disa sektorëve të mëdhenj të ekonomisë, duke filluar me atë teknologjik, që midis korrikut dhe gushtit shkaktoi një valë paniku në tregjet ndërkombëtare, dhe sipas vlerësimeve të Bloomberg shkaktoi një humbje prej 1.5 trilionë dollarësh.

Masat e marra ishin aq drastike dhe të vendosura, saqë disa vëzhgues kanë spekuluar se regjimi komunist kinez është i vendosur të ndryshojë modelin e zhvillimit që është ndjekur gjatë 40 viteve të fundit.

Ai mund ta bëjë këtë në favor të një modeli që e vë theksin tek një kontroll më i madh politik i Partisë Komuniste dhe tek stabiliteti shoqëror sesa mbi lirinë e biznesit dhe zhvillimin ekonomik, siç duket se e ka konfirmuar kohët e fundit vetë presidenti kinez Xi Jinping kur propozoi “prosperitetin e përbashkët” si një “kërkesë thelbësore të socializmit” dhe si synimin e ri të ekonomisë kineze.

Kohët e fundit, ky slogani është bërë shumë i përhapur në të gjitha aparatet propagandistike kineze. Ndërsa mund të jetë e parakohshme nxjerrja e përfundimeve të nxituara, ajo që ka ndodhur në ekonominë kineze javët e fundit është në shumë aspekte një ngjarje historike.

Brenda një kohe shumë të shkurtër, qeveria kineze neutralizoi praktikisht një sektor ekonomik me vlerë120 miliardë dollarë (ai i arsimit privat), dhe u shkaktoi humbje dramatike kompanive më të mëdha dhe më të fuqishme të teknologjisë në vend, teksa krijoi përshtypjen se mund të bllokonte aksionet jashtë shtetit të kompanive kineze, edhe pse ka garantuar se kjo nuk do të ndodhë tani për tani.

Këto masa i kanë habitur dhe frikësuar investitorët ndërkombëtarë, si dhe kanë bërë që shumë prej tyre të humbasin miliarda dollarë. Ata kanë filluar të pyesin nëse, përballë gatishmërisë së dukshme të qeverisë kineze për ta vendosur ekonominë kineze nën një kontroll më të madh, ia vlen të investohet ende në Kinë.

Trazirat e javëve të fundit në ekonominë kineze, e kanë në fakt fillesën që nëntorin e vitit të kaluar, kur autoritetet vendosën t’i japin një leksion Xhek Ma, themeluesit të kompanisë së tregtisë elektronike Alibaba, njeriut më të pasur në Azi dhe sipërmarrësit më të famshëm dhe të admiruar të Kinës.

Në fundin e vitit të kaluar, Ma po përgatitej të dilte në treg me “Ant Financial”, kompaninë e tij të re të pagesave dixhitale. Por në më pak se 48 orë para hyrjes në treg, Bursa e Shangait, ku “Ant Financial” ishte menduar të listohej, së bashku me Bursën e Hong Kongut, njoftuan tërheqjen e saj, për shkak të një ndryshimi të papritur të disa rregullave.

Xhek Ma, që deri në atë moment kishte qenë një nga kampionët kombëtarë të industrisë kineze të teknologjisë, u zhduk për disa javë nga skena publike dhe mezi u shfaq nga fundi i vitit 2020. “Ant Financial” nuk ka nisur ende nga puna, dhe ndërkohë atij i është dashur të paguajë një gjobë të madhe, dhe është detyruar të ndërmarrë një ristrukturim të madh të modelit të tij të biznesit .

Arsyet e këtij sulmi janë ende objekt debatesh. Në atë kohë, autoritetet kineze thuhej se ishin të pakënaqura kur gjatë një fjalimi të mbajtur në tetorin e vitit 2020, Ma kritikoi ashpër sistemin rregullator dhe burokratik të Kinës, duke akuzuar bankat kineze se veprojnë si një “peng-marrëse”.

Të tjerë thonë se me qarkullimin e tij të madh dhe praktikat financiare të rregulluara dobët, “Ant Financial” paraqiste një rrezik sistematik për ekonominë kineze, që duhej të vihej nën kontroll nga qeveria. Në çdo rast, të gjithë menduan se ishte një rast i izoluar.

Trajtimi që iu bë kësaj kompanie i frikësoi shumë analistët ndërkombëtarë, por ata ishin të bindur se ai qe një dënim shembullor që nuk do të përsëritej kurrë. Xhek Ma kishte sfiduar fuqinë e Partisë Komuniste dhe për këtë arsye ishte ndëshkuar, por sipërmarrësit e tij do të mësonin nga kjo ngjarje dhe do të shmangnin bërjen e të njëjtave gabime, në mënyrë që gjithçka të vazhdonte si më parë.

Por pas Xhek Ma, sulmet nuk u ndalën kurrë. Në javët dhe muajt në vazhdim, autoritetet kineze bënë disa deklarata me të cilat lanë të kuptohej se ishte duke ndodhur një rregullim i madh dhe një shtypje e ekonomisë, jo vetëm në lidhje me kompanitë individuale, por në një nivel sistematik.

Në dhjetor 2020, në një takim të nivelit të lartë të qeverisë, presidenti Xi Jinping tha se një nga përparësitë e regjimit ishte të shmangte “zgjerimin e çrregullt të kapitalit”, një mënyrë elegante për të thënë se sektori privat duhej të vihej nën kontroll më të madh.

Më 1 korrik të këtij viti, në fjalimin me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Kineze, Jinping shtoi se synimi kryesor për Kinën është “prosperiteti i përbashkët”, dhe që atëherë ai ka vazhduar ta promovojë parullën e re.

Në mesin e muajit gusht, në një fjalim të raportuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, Xi e përsëriti këtë synim, duke njoftuar ndër të tjera se për të arritur “prosperitetin e përbashkët” do të jetë e nevojshme të “rregullohen të ardhurat jashtëzakonisht të larta, dhe të inkurajohen grupet me të ardhura të larta dhe bizneset që t’i japin më shumë shoqërisë”.

Kjo duhet të jetë në fakt norma për një regjim komunist. Por për Kinën ky është një ndryshim i rëndësishëm ideologjik në krahasim me 40 vitet e fundit. Në fundin e viteve 1970 Ten Hsiaopin, udhëheqësi historik që e hapi Kinën drejt tregjeve botërore, dhe mundësoi ekspansionin e saj të jashtëzakonshëm ekonomik, thoshte se për të lehtësuar zhvillimin ekonomik do të ishte e pranueshme që disa njerëz “të pasurohen të parët”, pavarësisht parimeve të barazisë që promovon ideologjia komuniste.

Në korrik, pas festimeve të 100-vjetorit të partisë, nisën të ndërmerren veprime të mëdha rregullatore dhe shtypëse në sektorin privat, të përqendruara kryesisht tek kompanitë e teknologjisë. Pas “Ant Financial”, autoritetet kineze janë marrë me “Didi”, një kompani tjetër e njohur dhe e rëndësishme teknologjike që merret me lehtësimin e shërbimeve përmes aplikacioneve të saj.

Në fund të qershorit, kompania u regjistrua në Bursën e Nju Jorkut kundër vullnetit të autoriteteve kineze. Këto të fundit hapën disa ditë më vonë një hetim mbi praktikat e sigurisë së kësaj kompanie, dhe sidomos në lidhje me menaxhimin e të dhënave të vendeve të mundshme të ndjeshme për qeverinë.

Pas hetimit të qeverisë, “Didi” humbi 29 miliardë dollarë në vlerë në më pak se një muaj. Por masat që shqetësuan më shumë investitorët, kishin të bënin me një sektor më pak të njohur në Perëndim, por ende me vlerë të madhe ekonomike:atë të arsimit privat.

Sistemi shkollor në Kinë është shumë konkurrues. Për të hyrë në universitete, studentët duhet të marrin një provim kombëtar, Gaokao, që e ka origjinën që nga koha e Kinës perandorake, dhe që në praktikë është mundësia e vetme përmes së cilës shumë të rinj mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Gati 10 milionë studentë i nënshtrohen çdo vit Gaokao. 20-30 për qind e tyre dështojnë dhe duhet të presin një vit të tërë për të provuar sërish. Renditja në testimin Gaokao përcakton gjithashtu se kush do të jetë në gjendje të frekuentojë universitetet më prestigjioze.

Për pasojë në Kinë është zhvilluar një industri e madhe arsimore private, ku familjet me fëmijë shpenzojnë shpesh për arsimin një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre. Disa kompani kanë qenë veçanërisht të suksesshme në këtë fushë, duke ofruar kurse online të personalizuara që shfrytëzojnë inteligjencën artificiale.

Vlera e të gjithë sektorit vlerësohet në më shumë se 120 miliardë dollarë. Në mesin e korrikut, Ministria kineze e Arsimit publikoi një rregullore të re mbi këtë sektor, e cila ndër të tjera pengon financimin me fonde të huaja të kompanive që merren me arsimin shkollor.

Autoritetet kanë miratuar rregullore të reja dhe kanë nisur hetime në sektorë të tjerë, si kriptovaluta dhe tregtia elektronike. Disa ekspertë thonë se fushata mund të shtrihet edhe në sektorë të tillë si kujdesi shëndetësor privat dhe tregu i pasurive të paluajtshme.

Kohët e fundit, masat qeveritare kanë prekur edhe farmacitë online, sektorin e industrisë kozmetike, madje edhe prodhuesit e alkoolit. Secila prej nismave të ndërmarra nga autoritetet kineze mund të analizohet individualisht, dhe mund të gjendet një justifikim konkret për secilën.

Por fakti që të gjitha këto nisma ndaj kompanive private janë marrë brenda pak muajsh, ka bërë që shumë analistë t’i shohin ato si pjesë të një fushate të përgjithshme, e cila synon t’i vendosë sërish nën kontrollin e shtetit sektorët e mëdhenj të ekonomisë, për të zvogëluar varësinë e Kinës nga kapitali i jashtëm, ndoshta edhe për të modifikuar modelin e zhvillimit të vendit.

Marrë me shkurtime nga “Il Post” 

Eunews.al

Comments are closed.