×
Monday, July 15, 2024

A është Sali Berisha një hap larg SPAK-ut, tani që u shpall ndërkombëtarisht si i korruptuar?

May 20, 2021


Është e zeza mbi të bardhë. Në një kohë kur Lulzim Basha po përpiqet të ruajë pozitat brenda partise dhe “të pastrojë” emrin nga faktori “Berishë” përballë ndërkombëtarëve, kur Edi Rama po punon për mandatin e tretë, kur Ilir Meta thotë se procesi zgjedhor nuk do të mbyllet pa u shqyrtuar edhe ankesa e fundit, kur deri në muajin shtator opozita po “bluan” të gjitha variantet  në tavolinë,  Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një deklaratë të fortë për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar për një nga politikanët më të rëndësishëm të kësaj historie, ish-President, ish-kryeministër, ish-kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sali Berisha, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët Argita dhe Shkëlzeni janë shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pse? “Sepse aktet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri”.

Ajo që dihet si drita e diellit është se DASH nuk flet kurrë pa prova.

Këtë gjë e bëri pak ditë më parë edhe ndaj Tom Doshit për të cilin Ambasada amerikane dorëzoi një dosje të dhënash në prokurorinë shqiptare.

“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e DASH.

Pyetja që lind është? A do të pasojë kjo deklaratë e DASH një lëvizje konkrete nga ana e SPAK?

Sepse DASH flet për shpërdorim të fondeve publike nga ana e Berishës dhe për pasojë “nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë”

Çfarë disponon Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit për Sali Berishën dhe familjen e tij?

A lidhet kjo deklaratë e DASH me rihapjen e cështjes “Gërdeci” ku Fatmir Mediu do të thirret për të dëshmuar sa kohë që në deklaratën e DASH thuhet se Berisha pasuroi dhe aleatët e tij?

A është Gërdeci fillimi apo indicia e një hetimi të hollësishëm ku pas saj mund të fshihen konto bankare apo transaksione të dyshimta që e lidhin me familjen e tij?

A u përfshi Sali Berisha sërish në listën e kandidatëve për deputet thjesht për të qenë mburojë para organeve të drejtësisë?

A i hapi DASH rrugën SPAK-ut dhe në të njëjtën kohe e lehtësoi atë nga një paragjykim i mundshëm ndaj saj (nëse do të thërriste Sali Berishën) siç ka ndodhur edhe sot e kësaj ditë ndaj këtij organi nga opozita? Të gjitha përgjigjet janë të hapura.

Ajo që është e sigurt tashmë është se Sali Berishës po i hapen letrat “e vjetra” dhe pas tij mund te dalin edhe emra të tjerë të njohur të politikës.

Me deklaratën e DASH mesazhi është i qartë edhe për këdo politikan tjetër i majtë apo i djathtë qoftë.

Askush nuk është i paprekshëm përballë drejtësisë.

Emri i Sali Berishës e tregoi këtë gjë.(SI)

Eunews.al



Comments are closed.