×
Tuesday, December 10, 2024

A do ta revolucionarizojë koronavirusi rolin e qeverive

May 21, 2020


Nga: Julian Borger

Thënia e mençur e Ronald Reganit në vitin 1986 – “Nëntë fjalët më të frikshme në gjuhën angleze janë: I’m from the government, and I’m here to help (Unë vij nga qeveria, dhe jam këtu për të ndihmuar) – nuk do të shkaktonte sot shumë të qeshura.

Në pjesën më të madhe të botës, njerëzit janë të dëshpëruar që qeveria të jetë sa më e fortë, dhe të ngrihet në lartësinë e sfidës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Qëndrimi i Reganit mbi qeverisjen, u solidarizua në një lloj ortodoksie për më shumë se 3 dekada, duke u përhapur jashtë vendit – sidomos në Britaninë e Madhe me ndihmën e Margaret Theçërit – dhe duke e pushtuar skenën qendrore të politikës në të dyja vendet.

Antipatia ndaj shtetit ishte selektive: Reagan, ashtu si Donald Trumpi sot, shkaktoi defiçite të mëdha buxhetore, kaloi shumë fonde në sektorin e mbrojtjes, dhe ndërtoi një sistem të mirëqenies së korporatave, përmes subvencioneve dhe uljes të taksave.

Por në të dyja anët e Atlantikut, mendimi dominues ishte se shteti duhet të mos fuste hundët në punën e biznesit, në përpjekje për të kontrolluar pabarazinë, dhe siguruar shërbime për ata që ishin me më pak fat. Tashmë ka disa shenja, që tronditja e shkaktuar nga Covid-19, mund t’i sfidojë këto qasje.

Sëmundja dhe papunësia masive, kanë qenë gjithmonë më të afta në mbështetjen e kauzës së qeverisjes së madhe, sesa çdo manifest partie. Dhe kriza aktuale, nuk ka gjasa të jetë një përjashtim. Disa sociologë dhe historianë, argumentojnë se kjo pandemi mund të shndërrohet në një pikë kthese në historinë sociale, e krahasueshme me Marrëveshjen e Re (New Deal) në SHBA, apo me qeveritë laburiste të pasluftës në Britaninë e Madhe.

“Ne kemi qenë në këtë lloj trajektorie për 30 vitet e fundit, ku individi nisi të kishte prioritet ndaj kolektivit. Dhe tashmë jemi sërish në frymën me të cilën u rritën prindërit dhe gjyshërit tanë, ku komunitetet duhet të bëhen bashkë”- thotë Fiona Hill, historiane me origjinë britanike, që ka shërbyer në këshillin e sigurisë kombëtare të Donald Trumpit.

Hill tregoi rastin e Britanisë së Madhe, ku 750.000 njerëz u regjistruan si vullnetarë për të shërbyer në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS), dhe atë të një vale të aktivizmit klimatik në të dyja anët e Atlantikut. “Unë mendoj se në mesin e të rinjve, ka një oreks të madh për të kërkuar më shumë veprime nga ana e qeverisë. Mendoj se ne mund të nisim të shohim realisht kthimin e tendencës”- tha Hill.

Disa nga lëkundjet më të mëdha në opinionin publik, kanë ndodhur në vendet ku roli i shtetit në mirëqenien sociale, ka pasur një tërheqje më të shpejtë. SHBA-ja dhe Britania e Madhe bien më shumë në sy në këtë aspekt, pasi kur u shfaq pandemia qeveritë e tyre po synonin të mbështeteshin mbi sistemet e tyre të vjetra të mirëqenies sociale, dhe tashmë po përpiqen të rivlerësojnë versionet e tyre.

Ajo që mbetet e paqartë, është nëse këto masa do të zhduken sapo Covid-19 të vihet nën kontroll, në masën që njerëzit të mund të rikthehen në punë, apo nëse disa prej tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi. Pandemia e koronavirusit, mund të forcojë ndërkohë statistikat e një lloji tjetër – më shumë Big Brother, sesa një Shoqëri e Madhe – duke siguruar një maskim për qeveritë që të kufizojnë liritë civile dhe të forcojnë pushtetin e tyre, siç ka bërë Viktor Orban në Hungari.

Ka ende pak shenja se udhëheqësit e Kinës do të mbahen përgjegjës për dështimin e tyre për të kontrolluar epideminë në burimin e saj, dhe reagimi i Pekinit ndaj kritikave ka qenë shtypja e mëtejshme e zërave kritikë dhe shkencës. Pandemia, ka sjellë edhe një rritje të monitorimit dixhital të popullsisë, për të cilën shumë qytetarë frikësohen se do të shndërrohet në një sistem mbikëqyrës të përhershëm.

Forcimi i pushtetit shtetëror, mund të shoqërohet me një ofrim në shkallë më të gjerë të shërbimeve publike, ose të përparojë mbi to. Sa më pak që një qeveri bën për qytetarët e saj, aq më shumë ka ajo nevojë që t’i kontrollojë këta të fundit. Në SHBA, administrata Trump ka të ngjarë të përballet me rezistencë, nëse do të synojë të anulojë format e asistencës sociale që kanë qenë prej kohësh standarde në shumicën e demokracive perëndimore.

“Pandemia, ka hedhur poshtë të gjitha papërshtatshmëritë e rrjetit të sigurimeve shoqërore në SHBA”- thotë Xhon Shmit, nënkryetari i Institutit të Politikave Ekonomike në Uashington. “Një aspekt shumë themelor në çdo ekonomi tjetër të përparuar në botë, u garanton punëtorëve të paktën një sasi minimale të ditëve të paguara të punës kur ata janë të sëmurë. SHBA-ja nuk ka ligje të tilla në nivel kombëtar. Unë e kam të vështirë të imagjinoj, që të mos ketë një mbështetje të konsiderueshme, në kushtet kur legjislacionin shtetëror dhe ai federal kanë dështuar prej kohësh në këtë aspekt”- mendon ai.

Shmit thotë se ekzistojnë edhe 2 fusha të tjera, ku do të ketë një kërkesë të fortë për ndryshime të qëndrueshme. Njëra është sigurimi për papunësinë, për të cilin ka aktualisht një veprim të dobët të sistemeve të ndryshme shtetërore, që u nënshtrohet standardeve minimale kombëtare. Tjetri është sistemi i kujdesit shëndetësor. Teksa shumë amerikanë po përballen me falimentimin, për shkak se kanë një sigurim të pjesshëm, apo janë fare pa sigurim shëndetësor, për Trumpin do të jetë më e vështirë që të vijojë përpjekjet e tij për të shkatërruar deri në fund Aktin e Kujdesit Shëndetësor të administratës Obama, që e zgjeroi fushën e mbulimit të sigurimit shëndetësor, dhe mundi të sigurojë mbështetje për një zgjerim më ambicioz të kujdesit shëndetësor të financuar nga qeveria.

Për arsye paralele, do të jetë edhe më e vështirë në rrafshin politik për Boris Xhonsonin, që të negociojë bazat e NHS-së në bisedimet tregtare me Uashingtonin, pasi ky sistem i shpëtoi atij jetën. Është shumë herët të parashikohet, se si tronditja e shkaktuar nga koronavirusi, do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të këtij viti në SHBA.

Me të gjitha gjërat e tjera në barazpeshë, një popullaritet më i madh për një rrjet të sigurimeve shoqërore të financuar nga qeveria, duhet të përkthehet në më shumë vota për demokratët, të cilët tradicionalisht i kanë mbrojtur politika të tilla.

Por Trumpi do të synojë të rifitojë terren, duke këmbëngulur për shembull që emri i tij të figurojë në çeqet 600-dollarëshe që qeveria federale po u dërgon çdo javë amerikanëve, për të plotësuar përfitimet financiare si pasojë e papunësisë. Dhe zgjedhjet mund të jenë po aq mbi besnikërinë kulturore dhe politike, sesa mbi politikat sociale.

Sociologia Arli Hoshçajld, që ka shkruar gjerësisht mbi të djathtën amerikane, tha se po vëzhgon reagimet ndaj krizës së fundit në Kentaki. “Përkrahësit e Trumpit, janë njerëz përgjithësisht të moshuar dhe me shëndet të dobët. Dhe nëse ata janë të shtresës punëtore, kanë realisht më pak të ngjarë të kenë punë që mund t’i bëjnë nga shtëpia. Ajo që ka ndodhur në këtë periudhë të shkurtër kohore, ka sfiduar shumë nga bindjet që ata mbrojnë dhe besojnë”-thekson Hoshçajld.

Përkundër kësaj, thotë ajo, kriza dukej se ka pasur pak efekte në identifikimin dhe përkatësinë politike. “Nuk ka ndonjë kthesë të menjëhershme në qëndrimet e amerikanëve. Unë mendoj se ata do të votojnë për Trumpin, thuajse në të njëjtën normë si në presidencialet e 2016-ës”.

Nëse rizgjidhet Trump, shumë pak analistë besojnë se do të ketë ndryshime të mëdha e të qëndrueshme në rolin e shtetit në ekonomi. Instinktet e tij, kanë qenë dorëzimi i udhëheqjes gjatë krizës drejtorëve ekzekutivë të korporatave të mëdha, duke i rreshtuar ata në Kopshtin e Trendafilave, kur shpalli më 13 mars gjendjen e emergjencës kombëtare.

Ndërkohë, ndryshojnë opinionet nëse një administratë demokrate nën Xhon Bajdenin, do të ndërmerrte ndryshime transformuese. “Ne po shohim një aleancë më të ngushtë midis të majtës dhe qendrës së Partisë Demokratike”- shprehet Teda Skopol, profesore e sociologjisë në Universitetin e Harvardit.

Nëse demokratët do të kontrollojnë edhe Senatin, ajo shton:”Unë mendoj se kjo do të shënonte kalimin drejt një faze, ku do të ketë një ndryshim të vërtetë në lidership, të parin më të rëndësishëm që nga epoka e Reganit. Din Bejker, bashkëthemelues i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Politikave në Uashington – një nga ekonomistët e parë që identifikoi ‘flluskën’ në tregun e pasurive të paluajtshme në SHBA, që krijoi kushtet për krizën financiare globale në vitin 2008 – argumenton se ishte ajo krizë që tregoi se sa i brishtë ishte sistemi ekonomik ndaj goditjeve, pavarësisht se kush është në qeveri.

“Sot dominon mendimi që e patëm atëherë këtë përvojë të tmerrshme, dhe tani secili do të mësojë prej saj:nuk ishte realisht e vërtetë në vitet 2008-2009, dhe nuk kam shumë besim që do të jetë e vërtetë këtë herë”- shton Bejker. Shumëçka mund të varet nga thellësia dhe kohëzgjatja e tronditjes së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Me kalimin e javëve, një rikthim i shpejtë në rritjen ekonomike në formë V-je, duket se nuk ka gjasa që të ndodhë, ndërsa një skenar më real duket një rikuperim gradual në formë U-je, apo edhe një depresion i zgjatur ekonomik. Në rrethana të tilla, zgjidhjet më herët të paimagjinueshme, mund bëhen më të pëlqyeshme.

“Njerëzit e përdorin analogjinë e krizës financiare, por unë mendoj se kjo është diçka e gabuar. Lufta është shumë më e mirë, pasi ajo krijon njëkohësisht furnizim dhe një tronditje në anën e kërkesës”- thotë Branko Milanoviç, ekonomist në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut, duke shtuar se një rënie ekonomike e zgjatur do të çonte në “rivlerësim të rolit të shtetit”.

Gjithsesi, ai paralajmëron se ka shumë të ngjarë që një bazë e mbështetjes për një sistem të kujdesit shëndetësor universal, dhe një rrjet shumë më të fortë të sigurisë sociale, mund të mos reflektohet në sistemin politik të SHBA. Ai shton:”Ajo me të cilën mund të përballemi në realitet në SHBA, është një mospërputhje gjithnjë e më e madhe midis kërkesës për ndryshim, dhe mungesës totale të ndryshimit”. / Guardian Weekly

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments