Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, inspektuan punimet për restaurimin e Kullës së Turanit, një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë historike në zonë.
Gjatë vizitës, ministri Gonxhja theksoi se ndërhyrja synon jo vetëm shpëtimin e monumentit nga degradimi, por edhe kthimin e tij në një atraksion me vlerë turistike dhe identitare për Korçën.
“Jemi këtu për të dhënë një tjetër lajm të mirë të prekshëm, që jo vetëm shpëtojmë një vlerë të trashëgimisë kulturore, por edhe një atraksion që ka një vlerë turistike dhe identitare, siç është Kulla e Turanit. Ky ishte një objekt shumë i rrezikuar, jo vetëm për dëmet që mund të shkaktonte, por edhe për humbjen e një vlere të jashtëzakonshme dhe të pakthyeshme”, deklaroi Gonxhja.
Ministri bëri të ditur se po shqyrtohen edhe mundësi të tjera për rijetësimin e monumentit, me qëllim që ai të ketë një funksion të qëndrueshëm kulturor dhe promovues për zonën.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Sotiraq Filo falënderoi Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për financimin e ndërhyrjes, duke theksuar se restaurimi i kullës ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të fshatit Turan.
Kulla e Turanit, e përfshirë në listën e monumenteve në rrezik të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, po i nënshtrohet një procesi restaurimi dhe konsolidimi të plotë.
Punimet, të financuara nga fondi i MTKS për rastet emergjente, përfshijnë konsolidimin e muraturave, trajtimin e çarjeve, restaurimin e kupolës dhe çatisë, si dhe përmirësimin e sistemit mbrojtës ndaj lagështirës.
Përveç stabilizimit dhe ruajtjes së monumentit, projekti synon ta integrojë Kullën e Turanit në itineraret turistike dhe kulturore të rajonit, duke ruajtur autenticitetin dhe vlerat historike të saj për brezat e ardhshëm.