×
Tuesday, June 9, 2026

Rama për Zvërnecin: Kushti për investitorët është më shumë gjelbërim se sa ka sot zona

June 9, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se investimi i planifikuar në Zvërnec do të duhet të përmbushë standarde të rrepta mjedisore, ndërsa një nga kushtet kryesore të vendosura për investitorët është që zona të ketë më shumë hapësira të gjelbra pas zhvillimit të projektit sesa ka aktualisht.

Gjatë një konference me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, Rama mbrojti projektin dhe theksoi se Shqipëria ka rritur ndjeshëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura gjatë viteve të fundit.

“Ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura, sot kemi 25%. Kusht për projektin është që të ketë më shumë hapësirë gjelbërimi sesa para”, deklaroi kryeministri.

Rama bëri të ditur se në hartimin e projektit janë përfshirë ekspertë dhe arkitektë të njohur ndërkombëtarë të peizazhit, me synimin për të garantuar bashkëjetesën mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës.

“Po sikur t’ju them se po punojmë me arkitektët më të mirë të peizazhit? Ka një ekip shumë të madh dhe ky projekt do të jetë një tjetër provë që natyra dhe zhvillimi bashkëjetojnë”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk duhet të shihen si procese kundërshtuese, por si elementë që mund të ecin paralelisht.

“Natyra nuk mund të jetë mallkim për mirëqenien e njerëzve”, tha Rama.




Comments are closed.