Bujqësi, Salla: Subvencion deri në 10, 000 lekë/ha për fermat me mbi 3 ha
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla zhvilloi një takim në Malësia e Madhe së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaci, deputetin Bujar Rexha dhe kryetarin e Bashkisë Tonin Marinaj, me fermerët e zonës që merren me kultivimin e bimëve medicinale.
Gjatë takimit u prezantua Skema Kombëtare 2026, për të cilën aplikimet hapen ditën e nesërme, duke synuar rritjen e mbështetjes për sektorin bujqësor dhe modernizimin e fermave.
Ministri Salla tha se, “përmes kësaj skeme fermerët mund të përfitojnë mbështetje për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore deri në 10.000 lekë për hektar për fermat mbi 3 hektarë”.
Gjithashtu vijoi ai, fermerët mund të aplikojnë për mbështetje për pajisje dhe makineri për mekanizimin e punës në ferma, si dhe kompensim 10% të autofaturave.
Ministri vuri në dukje se Skema Kombëtare 2026, vjen pas dikutimesh me grupet e fermëve duke reflektuar nevojat dhe kërkesat tyre për subvencione.
“Qeveria shqiptare ka akorduar 52 milionë euro për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026. Janë 12 masa mbështetëse ku fermerët mund të aplikojnë për bimët mjekësore; pemtari, agroturizëm; bletari dhe blegtori etj. Kemi sigurinë ushqimore që duhet të jetë e para në kushtet kur Shqipëria po ecën përpara në integrimin europian”, deklaroi Salla.
Ndërsa ministri Karakaçi u shpreh se kjo mbështetje synon të çoj përpara bujqësinë shqiptare. “Produktet që ne u servirimin turistëve ne i marketojmë dhe i reklamojmë si produkte të zonës, ndaj bujqësi merr një pjesë të rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha ai.
Ministri Salla, theksoi se bimët medicinale mbeten një sektor me potencial të lartë për zhvillimin ekonomik të zonave rurale dhe se mbështetja për këtë sektor do të vijojë në kuadër të politikave për forcimin e prodhimit vendas dhe zinxhirit të vlerës në bujqësi.







