×
Sunday, May 24, 2026

Greqia dhe Shqipëria drejt rifillimit të negociatave për detin – Dendias vizitë zyrtare në Tiranë

May 24, 2026


Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, do të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e negociatave mbi përcaktimin e zonave detare mes dy vendeve.

Vizita vjen në një moment kur Athina dhe Tirana po synojnë të ringjallin një proces të ndërlikuar që ka mbetur i bllokuar prej vitesh, pavarësisht disa tentativave të mëparshme për dialog.

Sipas burimeve diplomatike, vizita e Dendias synon të shërbejë si një hap konkret për rihapjen e kanaleve zyrtare të negociatave dhe për krijimin e një kuadri të ri bashkëpunimi për çështjet detare.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri grek do të zhvillojë fillimisht një takim në Ministrinë e Mbrojtjes me homologun e tij, Ermal Nufi. Në këtë takim pritet të diskutohen çështje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe zhvillimet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Më pas, Dendias do të pritet nga kryeministri Edi Rama, në një takim ku në fokus pritet të jetë avancimi i dialogut dypalësh dhe çështja e kufirit detar mes dy vendeve. Pas takimit, është parashikuar edhe një drekë pune në rezidencën kryeministrore, ku diskutimet pritet të thellohen mbi aspektet teknike dhe politike të procesit.

Në vijim të vizitës, ministri grek do të zhvillojë edhe një takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, si pjesë e takimeve protokollare gjatë qëndrimit të tij në vend.

Çështja e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë konsiderohet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe. Ajo lidhet me interesa strategjike, ekonomike dhe energjetike, ndërsa çdo përpjekje për rifillimin e negociatave shihet si një zhvillim me peshë në stabilitetin rajonal dhe në raportet mes dy vendeve.

Sipas mediave greke, të dyja palët po shfrytëzojnë një klimë më të favorshme politike për të rikthyer në tryezë dialogun dhe për të kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.




Comments are closed.