SHBA monitoron planin për Xhandarmërinë në Kosovë, kërkon përputhje me sigurinë dhe paqen
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar lidhur me planin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë, duke theksuar se presin që çdo hap të jetë në përputhje me angazhimet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë deklaroi për Radion Evropa e Lirë se po monitorojnë nga afër zhvillimet dhe njoftimet e fundit lidhur me krijimin e kësaj force të re sigurie.
Ideja për themelimin e Xhandarmërisë u bë publike më 19 maj nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se janë ndërmarrë hapat e parë konkretë për realizimin e saj.
Sipas Sveçlës, kjo forcë do të ketë një mision të qartë: ruajtjen e kufijve dhe sovranitetit territorial, luftën kundër terrorizmit, menaxhimin e situatave të trazirave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, edhe NATO ka reaguar përmes një zyrtari, duke bërë të ditur se po ndjek nga afër deklaratat dhe zhvillimet nga institucionet e Kosovës, pa dhënë komente të detajuara për momentin.
Aleanca theksoi se vazhdon bashkëpunimin me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe pret që ky bashkëpunim të vijojë në mënyrë të koordinuar, veçanërisht me misionin paqeruajtës KFOR, në funksion të stabilitetit dhe sigurisë për të gjitha komunitetet.
Nga ana tjetër, Ambasada gjermane në Prishtinë ka zgjedhur të mos komentojë këtë iniciativë në këtë fazë.
Xhandarmëria është një strukturë sigurie me karakter të ndërmjetëm mes ushtrisë dhe policisë, e cila në vende të ndryshme funksionon ose nën Ministrinë e Brendshme, ose si pjesë e forcave të armatosura.
Krijimi i saj në Kosovë shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sigurisë, por njëkohësisht kërkon koordinim të kujdesshëm me partnerët ndërkombëtarë.







