Historike, Shqipëria arrin kualifikimin në fazën “play-off” të Botërorit 2026
Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore të artë në transfertë ndaj Andorrës, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e parafundit të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.
Fitorja, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në fushën e Anglisë, i ka dhënë Shqipërisë kualifikimin historik në fazën “play-off” të Botërorit, për herë të parë në historinë e saj.
Trajneri Sylvinho hodhi në fushë formacionin e tij standard me Strakoshën në portë, një mbrojtje të përbërë nga Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj, ndërsa mesfusha përbëhej nga Shehu, Asllani dhe Laçi. Në sulm u vendosën Hoxha, Broja dhe Manaj, të cilët krijuan vazhdimisht presion në zonën vendase.
Shqipëria e nisi ndeshjen me ritëm dhe vendosmëri, duke kontrolluar lojën dhe duke kërkuar që herët golin e avantazhit.
Asllani ishte i pari që provoi me një goditje dënimi pranë shtyllës, ndërsa Broja dhe Manaj mbajtën presionin lart në zonën e Andorrës.
Vendasit, megjithatë, rrezikuan disa herë me kundërsulme të shpejta, duke vënë në provë portierin Strakosha.
Në minutat shtesë të pjesës së parë erdhi rasti më i madh, pas një goditje këndi, Berat Gjimshiti goditi traversën dhe rezultati mbeti 0-0.
Kuqezinjtë hynë në pjesën e dytë me më shumë agresivitet. Në minutën e 52-të, Broja shpërtheu bukur në krah dhe asistoi për Asllanin, i cili gjuajti fort, por portieri vendas devijoi.
Presioni solli shpërblimin në minutën e 62-të. Pas një kombinimi model, Bajrami gjeti Uzunin në krah, ndërsa ky i fundit shërbeu saktë për Kristjan Asllanin, i cili kësaj radhe nuk gaboi përballë portierit dhe shënoi golin e fitores 0-1.
Në minutën 73 Rey Manaj i pafat devijoi gjuajtjen e Nedim Bajaramit, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.
Me rezultatin 0-1 u mbyll 90-minutëshi në “Estadi FAF” të Andorrës.
Fitorja ndaj Andorrës dhe humbja e Serbisë ndaj Anglisë 2-0 bënë që kuqezinjtë të sigurojnë matematikisht vendin e dytë në Grupin K – dhe me të, edhe kualifikimin në fazën “play-off” për Kupën e Botës 2026.
Kjo është hera e parë që përfaqësuesja kuqezi siguron pjesëmarrjen në fazën “play-off” të një Botërori.
Fitorja ndaj Andorrës dhe rezultati paralel në Londër ndezin festën për gjithë tifozët kuqezi, të cilët ishin të pranishëm me mijëra në stadiumin “Estadi FAF”.
Tashmë mbetet ndeshja e fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor në “Air Albania”, e cila pritet të jetë një mbrëmje festive për futbollin shqiptar.







