5.3 milionë franga nga Zvicra, projekti për energji inteligjente nis në 4 bashki



Maela Marini/ Qeveria shqiptare nënshkroi sot marrëveshjen me qeverinë e Zvicrës, për dhënien e asistencës teknike dhe financiare në kuadrin e projektit të “Bashkive me energji inteligjente”.
Ministrja e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, sa i takon përdorimit eficient të energjisë, i cili do të nisë fillimisht të zbatohet në 4 prej bashkive të vendit për t’u shtrirë më pas edhe në qytetet e tjera.
Balluku theksoi se, “partneri ynë financiar në këtë projekt është Sekretariati i Shtetit zviceran për Çështjet Ekonomike të Konfederatës së Zvicrës, i cili vendos 5.3 milionë franga zvicerane për pilotimin e këtij sistemi, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer edhe në fusha të tjera”.
“Marrëveshja ndihmon 4 bashki, atë të Shkodrës, Korçës, Përmetit dhe Beratit, të cilat do të përfitojnë nga asistenca teknike dhe financiare”, tha ajo.
Sipas saj, “janë rreth 270 mijë banorë të këtyre bashkive që përfitojnë drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë nga kursimi i energjisë”.
Balluku tha po ashtu se “një element i rëndësishëm i projektit është edhe rritja dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve kyçe”.
Ministrja vlerësoi se rol të rëndësishëm ka Agjencia e Eficiencës Energjetike, që është ngritur 3 vitet e fundit, e cila siguron balancën mes zhvillimit të sektorit energjetik dhe mbrojtjes së klimës”.
Shqipëria po shkon drejt eficiencës energjetike
Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître, deklaroi se Shqipëria po shkon drejt eficiencës energjetike dhe kjo tashmë është një prioritet si për pushtetin vendor, ashtu dhe për atë qendror.
“Si partner i Shqipërisë dhe zhvillimit të saj, Zvicra, vijon të ndjekë këto prioritete dhe sot jam i kënaqur dhe i gëzuar të nënshkruaj këtë marrëveshje dhe për të zbatuar projektin më të fundit të energjisë, pra bashkitë me energji inteligjente. Mbështetja e sektorit të energjisë ka qenë prej kohësh pjesë e bashkëpunimit zviceran në Shqipëri që prej vitit 1992. Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës, përmirësimi i sigurisë së digave dhe prezantimi i kapacitetit për menaxhimin e gazit, janë disa prej këtyre shembujve. Tashmë ka ardhur koha për të ndryshuar kontributin tonë në përmirësimin dhe menaxhimin e energjisë.
Të rrisim eficiencën energjetike dhe të fuqizojmë kapacitetet dhe shërbimet bashkiake, pjesë e aspiratave shqiptare drejt BE-së. Kjo do të thotë se direktivat dhe kuadri ligjor evropian për energjinë elektrike duhen adoptuar dhe më e rëndësishme duhen zbatuar. Si shembull i politikave dhe praktikave të reja në këtë fushë, Shqipëria mund të marrë në shqyrtim krijimin e një fondi të eficiencës energjetike”, tha ai.
Në vijim, ambasadori zviceran, Adrian Maître tha se teksa konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës po i qaset fundit, Shqipëria sakaq po i përgjigjet dhe po reagon ndaj ndryshimeve klimatike.
Maître u shpreh se projekti i ri ka tre tipare kryesore.
“I pari është që të ngrejë institucione të efektshme si në nivel të menaxhimit të energjisë si në nivel qendror dhe vendor. Tipari i dytë është se ky shembull frymëzohet prej modelit që aplikon Evropa si çmim për energjinë gjë që ndodh të jetë shembull ideuar në Zvicër dhe për momentin është standardi i menaxhimit të energjisë. Tipari i tretë është se prezanton shpërblime të mbështetura në performancë”, theksoi ai.
Eunews.al

