×
Wednesday, November 29, 2023

145 mijë doza Pfizer nga BE për Shqipërinë/ Të mërkurën dërgesa e parë, Várhelyi vizitë në Tiranë

April 30, 2021


Dërgesat e para të vaksinave antikovid të financuara nga Bashkimi Europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, pritet të mbërrijnë në vendin tonë të mërkurën.

Lajmi është konfirmuar sot nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, i cili do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.

Várhelyi do të fillojë vizitën e tij në rajon të hënën pasdite në Serbi, pastaj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut të martën dhe do të mbyllë vizitën e tij të mërkurën në Shqipëri dhe Kosovë.

“Unë do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të dhënë një mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë, si dhe për punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor dhe grupet më të prekshme. Dorëzimi i vaksinave konfirmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të siguruar mbështetje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Së bashku jemi më të fortë”, tha Várhelyi.

Vaksinat financohen nga paketa 70 milionë euro e miratuar nga Komisioni në dhjetor 2020 për të ndihmuar mbulimin e kostos së vaksinave të siguruara në bazë të marrëveshjeve paraprake të BE-së për blerje për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave të financuara nga BE-ja përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesin dhe secilin partner të Ballkanit Perëndimor. Shpërndarja e përgjithshme midis vendeve bazohet në nevojat epidemiologjike. Këto vaksina u shtohen atyre të siguruara nga COVAX, ku BE-ja është një nga kontribuesit kryesor, me afërsisht 2.5 miliardë euro nga Ekipi Evropa (BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj).

Komisioneri Várhelyi do ta nisë vizitën e tij në rajon të hënën pasdite në Serbi, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të martën, më pas në Shqipëri dhe Kosovë të mërkurën. Gjatë qëndrimit në rajon, ai do të diskutojë me autoritetet për përgjigjen ndaj pandemisë, si dhe për mbështetjen e BE-së në këtë kontekst.

BE-ja ka vepruar me vendosmëri që nga fillimi i krizës, duke mobilizuar një paketë shumë të madhe prej 3.3 miliardë eurosh për ta ndihmuar rajonin të trajtojë krizën e menjëhershme shëndetësore, të zbutë ndikimin socio-ekonomik dhe të sigurojë rimëkëmbjen afatgjatë.

Përmes kësaj pakete janë dorëzuar për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor pajisje jetike të tilla si maska, ventilatorë, ambulanca, komplete testimi dhe ngrirës. Janë mundësuar masa të forta për zbutjen e krizës socio-ekonomike. Paketa tani do të nxisë edhe fushatat e vaksinimit. Kjo është një shprehje e qartë e solidaritetit evropian me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilave është qartazi në BE.

Së fundi, në tetor, Komisioni propozoi një Plan Ekonomik dhe të Investimeve që mund të mobilizojë deri në 28 miliardë euro në grante, garanci dhe kredi preferenciale, për të nxitur rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe konvergjencën me BE-në.

Në 20 prill, Komisioni Europian deklaroi se do të dhuronte në total 651 mijë doza BioNTech/Pfizer në rajon nga fillimi i majit deri në gusht. Në saj të kësaj ndihme Shqipëria do të marrë 145 mijë doza, Kosova 95 mijë, Maqedonia e Veriut 119 mijë, Serbia 36 mijë, Mali i Zi 42 mijë dhe Bosnjë-Hercegovina 214 mijë doza.

Vaksinat financohen nga paketa 70 milionë euro e miratuar nga Komisioni në dhjetor 2020 për të ndihmuar në mbulimin e kostos së vaksinave, të siguruara në bazë të marrëveshjeve të BE-së për blerjen paraprake për partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments